Berisha pret Kryetarin e Komunitetit Mysliman Shqiptar, z. Selim Muça. duke shprehur skepticizmin e komunitetit për realizimin e këtij projekti, z. Muça kërkoi mbështetjen e Kryeministrit për realizimin e një xhamie në Tiranë
Tiranë, 30 Nëntor 2010 NOA/ Rid Bulku - Kryeministri Sali Berisha priti sot në takim Kryetarin e Komunitetit Mysliman Shqiptar, z. Selim Muça. Z. Muça e njohu Kryeministrin me zhvillimet e fundit institucionale brenda komunitetit, si dhe kërkoi mbështetjen e qeverisë për çeljen e një universiteti.
Kryetari i Komunitetit Mysliman Shqiptar e njohu gjithashtu Kryeministrin me nismën për ndërtimin e një xhamie të re në Tiranë, por, duke shprehur skepticizmin e komunitetit për realizimin e këtij projekti, z. Muça kërkoi mbështetjen e Kryeministrit për realizimin e një xhamie në Tiranë.
Kryeministri ka bërë të qartë qëndrimin institucional ndaj komunitetit Mysliman dhe siguroi kryetarin e këtij komuniteti për mbështetjen që qeveria shqiptare i jep dhe do t’i japë këtij komuniteti si në çeljen e universitetit, ashtu dhe në ndërtimin e objekteve të kultit.
Në takim u përmend fakti që premtimi për ndërtimin e një xhamie në Tiranë ka qenë bërë edhe 5 vjet më parë nga Bashkia e Tiranës, por ky premtim nuk është mbajtur asnjëherë, pasi kjo nuk ka qenë dëshira reale e Kryetarit të Bashkisë së Tiranë për ta ndërtuar atë. Sikundër u tha në takim, edhe në atë rast, Komuniteti Mysliman konstatoi mashtrimin e z. Rama për ndërtimin e këtij objekti. Në fakt, Tirana është i vetmi qytet që në këto vite nuk i ka krijuar aksesin e duhur Komunitetit Mysliman në ndërtimin e një objekti kulti.
Bashkia Tiranë po e përdor këtë premtim vetëm për qëllime elektorale, në prag të zgjedhjeve lokale, por nuk ka vullnet real në ndërtimin e saj.
Në përfundim, Kryeministri u siguroi përfaqësuesve të Komunitetit Mysliman, mbështetjen e plotë të qeverisë si për çeljen e universitetit, ashtu edhe për ndërtimin e objekteve të nevojshme të kultit, duke konsideruar që mbështetja e komuniteteve fetare është një qëndrim konsistent i qeverisë.
r.b/NOA