English

Ambasada PINK: Mos diskriminoni personat me HIV/AIDS

Tiranë, 1 dhjetor, NOA – Ambasada Pink që mbron të drejtat e homoseksualëve, transeksualëve sot në ditën botërore të ndërgjegjësimit kundër sëmundjes HIV/AIDS ka bërë thirrje që të mosdiskriminohet personat e sëmurë me këtë virus.

Drejtues të kësaj ambasade të çelur në Tiranë, theksuan gjatë aktiviteteve të sotëm se “Janë tronditëse rrëfimet që pjesëtarë të komunitetit gay të prekur nga HIV/AIDS bëjnë në lidhje me diskriminimin e dyfishtë, me të cilin ata përballen çdo ditë, diskriminimin edhe për faktin që kanë një orientim të ndryshëm seksual, por edhe diskriminimin dhe stigmatizimin për faktin që janë të prekur nga HIV/AIDS”.

Gjatë aktivitetit kryesor të organizuar nga Ministria e Shëndetësisë, ISHP dhe UN Albania, u theksua se “edhe pse trajtimi me antiretroviral i pacientëve në masën 100% dhe shtrirja e qendrave testuese në nivel kombëtar janë dy nga arritjet më të mëdha në këtë fushë, përsëri ngelet shumë për të bërë për ndërgjegjësimin e personave për rrezikun që paraqet kjo sëmundje”.

Andaj gjatë ditës së sotme Ambasada Pink/ LGBT PRO, ishte pjesë edhe e panairit të organizuar në qendër të Tiranës, në zonën e ish bllokut, një nga zonat më të frekuentuara nga të rinjtë, ku në stendën e rezervuar për PINK EMBASSY/LGBT PRO, u reklamuan materiale informuese dhe ndërgjegjësuese.

Kjo ambasadë si pjesë e Forumit të OJF-ve për HIV/AIDS, publikoi fletpalosjen “Bëhu pjesë në luftën kundër HIV/AIDS”, e cila do të shërbejë si material informues gjatë ditëve të fushatës.

Instituti i Shëndetit Publik në Shqipëri, raportoi sot se në vendin tonë gjatë vitit 2010 janë diagnostikuar 41 raste te reja me HIV.

Ndërkohë që në Shqiperi janë diagnostikuar me HIV gjithsej 406 persona, 85 prej të cilëve kanë vdekur.

34% e rasteve të reja janë femra.

21 fëmijë shqiptarë jetojnë me HIV, 16 prej të cilëve e kanë marrë virusin nga nënat e tyre.

53% e rasteve të reja tashmë janë në stadin e AIDS-it. Pjesa më e madhe e

rasteve të reja (71%) janë diagnostikuar nga klinikat dhe vetëm 7% e

rasteve të reja janë zbuluar gjatë testimeve vullnetare.

mit/NOA
KOMENTE