English

BDSH: Regjistrimi i popullsisë në Maqedoni, diskriminues

Tetovë, 1 dhjetor, NOA - Bashkimi Demokratik Shqiptar, në një deklaratë të tij për shtyp, ka shprehur qëndrimin e tij shqetësues në lidhje me rastin e votimit të ligjit për regjistrimin e popullsisë në Maqedoni.

“Votimi dhe miratimi i ligjit për regjistrimin e popullsisë në parlamentin e Maqedonisë është procesi i radhës me të cilën politika diktatoriale e Gruevskit tenton që të shndërrojë popullin shqiptar në popull apatrid. Si bashkë-pjesëmarrës në këtë proces, për fat të keq, sot kemi edhe një parti shqiptare e cila pa fijen e turpit dhe pa mos analizuar kushtet dhe rrethanat të cilët i imponon situata ekonomike në vend për numrin e madh të shqiptarëve të cilët gjenden jashtë vendit për të siguruar ekzistencën e familjes së tyre, e votoi ligjin edhe përkundër zërave të shumtë për pasojat katastrofale që do të ketë vetë implementimi i ligjit, respektivisht regjistrimi i popullatës në prill të vitit 2011”, citon deklarata në fjalë.

Duke shtuar se “Bashkimi Demokratik Shqiptar, vazhdimisht është përpjekur të sensibilizojë institucionet ndërkombëtare dhe opinionin demokratik se politika dominante e Shkupit tenton që të mposhtë, diskreditojë, diskriminojë, mohojë të drejtat dhe torturoj popullatën shqiptare e cila jeton në Maqedoni”.

“Faktet për një politikë të tillë janë të shumtë, duke filluar nga vetë procesi i shpërnguljes së shqiptarëve në shtetet e Lindjes dhe Perëndimit; nga numri i madh i atyre të cilët me vite të tëra u mohohet shtetësia e këtij vendi; përmes regjistrimeve të deritanishme të popullsisë me çka është munduar të fshihet realiteti i përkatësisë etnike të popullsisë së Maqedonisë dhe dominimin e etnitetit maqedonas”, thekson më tej deklarata e BDSH-së.

Duke përfunduar se duke pasur parasysh të gjitha këto përpjekje të cilët me vite të tëra tentojnë që të zvogëlojnë numrin real të shqiptarëve ne Maqedoni, duke pasur parasysh përfaqësimin joadekuat të shqiptarëve në entet përgjegjëse për realizimin e regjistrimit si dhe duke pasur parasysh argatllëkun e partive shqiptare pjesëmarrëse në qeveri në çdo mandat qeveritar, Bashkimi Demokratik Shqiptar dyshon në rezultatin dhe suksesin e regjistrimit të popullsisë që do të fillojë në 1 prill të vitit 2011.

n.e/NOA

KOMENTE