Tiranë, 1 dhjetor, NOA – Vetëm me një pistoletë lodër një 32-vjeçar ka grabitur dje një dyqan celularësh në Tiranë, duke marrë prej andej të gjitha sendet me vlerë.
Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e djeshme, rreth orës 18:00 në rrugën “Muhamet Gjollesha”. Autori vjedhjes spektakolare është Ilir Themo Memo, banues në qytetin e Durrësit.
Pasi ka hyrë si klientë i zakonshëm në dyqanin e celularëve 32-vejeçari ka nxjerrë “pistoletën” dhe ka kërcënuar pronarin e dyqanit.
Nën kërcënimin e armës ai ka marrë disa aparate telefoni celularë, aparat fotografik, orë dore, MP3, disa palë syze me mp3 si dhe aksesorë të ndryshëm celularësh.
Menjëherë pas sinjalizimit për grabitjen në një prej zonave kryesore të qytetit, policia ka nisur ndjekjen e autorit.
Ai është arrestuar disa orë më pas ku ju bllokua dhe sasia e materialeve të vjedhura. Bashkë me celularët dhe aksesorët e tjerë policia ka bllokua dhe pistoletën lodër, e cila ishte një imitim i pistoletës reale.
a.k/NOA