English

Haxhinasto: Të rriten investimet me Zvicrën

Astana, (Kazakistan), 1 dhjetor, NOA – Investimet në ekonomi me Zvicrën duhet të njohin një zhvillim më të madh dhe më të shpejtë. Ky është qëndrimi që ka mbajtur ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto, gjatë takimit me ministren e Punëve të Jashtme të Konfederatës së Zvicrës, Micheline Calmy-Rey.

Në takimin e zhvilluar në kuadër të punimeve të Samitit të krerëve të Shtetit dhe Qeverive të OSBE-së, që po zhvillohet në Kazakistan, dy diplomatët kanë diskutuar dhe për çështje që kanë të bëjnë me marrëdhëniet dhe bashkëpunimin dy palësh në fusha të tjera.

Ministri Haxhinasto nënvizoi rëndësinë e rritjes së investimeve zvicerane në vendin tonë, duke evidentuar faktin se tashmë Shqipëria ka një klimë ekonomike shumë të favorshme dhe ofron mundësi të larmishme për thithjen e kapitalit të huaj.

Të dy homologët theksuan rëndësinë e rritjes së investimeve zvicerane dhe shprehën mbështetjen për gazsjellësin “Trans-Adriatic Pipeline”, si një projekt madhor dhe i një rëndësie të veçantë.

Haxhiansto falenderoi për ndihmën e vazhdueshme të “Agjencisë për Zvicrës për Bashkëpunim dhe Zhvillim” në fusha prioritare të axhendës integruese të Shqipërisë si decentralizimi dhe shteti i së drejtës.

a.k/NOA

KOMENTE