English

Kryeministri: Të zvogëlojmë në maksimum dëmet e pasojat e përmbytjeve

Tiranë, 1 dhjetor, NOA, Update – Një ditë pasi situata e përmbytjeve në veri të vendit erdhi të përshkallëzohej si rezultat i reshjeve të dendura të shiut dhe prurjeve të larta në kaskadën e lumit Drin, duke bërë që uji të hynte përtej fshatrave të përmbytur deri në qytetin e Shkodrës, qeveria shpalli sot gjendjen e fatkeqësisë natyrore në qarkun e Shkodrës .

Kryeministri Berisha theksoi gjatë mbledhjes së qeverisë se përmbytjet erdhën nga vazhdimi i reshjeve të shumta të shiut dhe për pasojë e rritjes së jashtëzakonshme të prurjes së lumenjve të Alpeve, me mbi 2000 m3/në sekondë, duke apeluar që të merren të gjitha masat për të zvogëluar në maksimum dëmet dhe pasojat e përmbytjeve në këtë zonë.

“Prej shumë ditësh, prurjet, të marra sëbashku, në kaskadë arrijnë në 3000 m3/në sekondë. Në veçanti prurje të papërmbajtura, që mund t’i quanim edhe të tërbuara, kanë qenë prurjet e lumenjve të Alpeve, që kanë një agresivitet të madh, pasi liqenet e Komanit dhe Vaut të Dejës janë shumë më të vegjël në kapacitet mbajtës, sesa liqeni i Fierzës. Ditët e fundit, prurjeve të paprecedent të lumenjve të Alpeve që kanë arritur në 1800-2000 e më shumë m3/në sekondë i janë shtuar edhe prurjet me mesatarisht 1300 m3/në sekondë të Drinit, çka bën të detyrueshëm shkarkimin më të madh nga portat e liqenit të Vaut të Dejës, në mënyrë që të mbahen jashtë rrezikut digat dhe i tërë sistemi”, informoi kryeministri gjatë mbledhjes së sotme të qeverisë.

Ai sqaroi se mbledhja e mbrëmshme e qeverisë e mbajtur në Shkodër, ka përcaktuar detyra të tilla sikur të ishte shpallur gjendja e emergjencës, por prurjet vazhdojnë dhe janë 3000 m3/ në sekondë në të gjithë kaskadën, çka imponon sikundër tha kreu i qeverisë, shkarkime të konsiderueshme nga portat e hidrocentralit të Vaut të Dejës.

Shefi i qeverisë duke theksuar se tashmë duhet të merren të gjitha masat siç e parashikon ligji për fatkeqësitë natyrore, shtoi se ushtria ka dislokuar në zonat e përmbytura të gjithë automjetet e nevojshme të transportit tokësor, por edhe varkat, pasi sikundër tha kryeministri duhet të vazhdojë të bëhet me shpejtësi evakuimi i banorëve nga zonat e përmbytura.

“Nuk ka jetë të humbura. Po merren të gjitha masat për sistemimin e të avakuuarve në konvikte dhe hotele, po merren të gjitha masat për t’u siguruar të gjitha shërbimet banorëve të evakuuar, si dhe po merren të gjitha masat për të garantuar bazën ushqimore edhe për gjënë e gjallë”, siguroi shefi i qeverisë.

Ai informoi se ndërkohë po bëhen disa përpjekje të tjera për të zgjeruar, me aq sa të jetë e mundur shtratin e Bunës, nga territori i Malit të Zi, pasi në këtë zonë nuk ka si të zgjerohet, në një zonë, ku ajo ngushton, me shpresën se do të rriten kapacitetet derdhëse të saj, një premtim që shefi i qeverisë e propagandoi që verën e shkuar gjatë një takimi me investitorë në lumin Buna.

“Por pavarësisht kësaj, ne do të vazhdojmë evakuimin me shpejtësi të popullatës të gjithë zonës së nën Shkodrës dhe zonës së Livadheve të qytetit të Shkodrës, pasi sot shkarkimet janë të mëdha. Këto shkarkime, me nivelet aktuale të prurjeve edhe të liqeneve, janë domosdoshmëri absolute, në mënyrë që të mos ketë asnjë lloj rreziku serioz të sistemit të kaskadës së digave” premtoi zoti Berisha.

Kryeministri evidentoi në këtë kontekst, se prej më shumë se tre javësh prodhohet energji elektrike në sasitë më maksimale, 27-28 kilovat/orë në ditë.

Duhet të veprohet me shpejtësi për të ulur sa më shumë dëmet nga përmbytjet, tha kryeministri duke falenderuar autoritetet vendore dhe banorët, të cilët sipas tij po sillen me përgjegjësi të lartë në këtë situatë të përkeqësuar përmbytjesh, një situatë kjo që përsërit atë të fillimvitit.

mit/NOA
KOMENTE