Tiranë, 1 Dhjetor 2010 NOA/ Rid Bulku - Një mjek kardiokirug është goditur në mjediset e punës së tij, në Qendrën Spitalore Universitare "Nënë Tereza" (QSUT), pasi autori i dyshuar e akuzon si përgjegjës për vdekjen e të atit.
Kardiokirurgu i plagosur është Edvin Prifti. Konfirmohet se autor i dyshuar i ngjarjes është Robert Rama, 26 vjec, lindur ne Dibër dhe banues prej vitesh në Tiranë.
Ngjarja ka ndodhur pasdrekën e sotme, pak orë pasi 57-vjecari Vladimir Rama, babai i Robertit, ndërroi jetë në mjediset e Reanimacionit në QSUT, pas operacionit që u krye nga mjeku Edvin Prifti.
I ndjeri vuante nga zemra dhe ndërhyrja kirurgjikale iu krye në zemër nga mjeku Prifti.
Bëhet e ditur se mjeku ka pësuar plagë në fytyrë si pasojë e goditjes me grusht nga i dyshuari Robert Rama.
Policia ka mbërritur në vendin e ngjarjes dhe ka shoqëruar autorin e dyshuar Rama e po ashtu ka shoqëruar edhe mjekun Prifti.
r.b/NOA