Astana, 1 dhjetor, NOA – “Samiti është shprehje e mirëbesimit të rritur në hapësirën transatlantike dhe ka potencial të jashtëzakonshëm për të rigjallëruar rolin e OSBE-së për sigurinë tonë të përbashkët”. Ai është një mundësi e volitshme për Krerët e shteteve dhe qeverive, që të bashkojnë forcat për të ndërtuar një bashkësi euro-aziatike të Sigurisë me të vërtetë të plotë dhe të lirë”. Kështu e ka vlerësuar Presidenti Bamir Topi, samitin e OSBE-së që po mbahet në Astana të Kazakistanit, gjatë takimit që kreu i shtetit pati me Presidentin e Kazakistanit, Nursultan Nazarbajev.
Presidenti Topi shprehu falenderimet për mikpritjen e ngrohtë të ofruar nga pala kazake dhe urimet për organizimin e veprimtarisë më të rëndësishme të OSBE-së të 11 viteve të fundit.
Gjatë bisedës, dy personalitetet e larta vunë në dukje marrëdhëniet e mira që ekzistojnë midis dy vendeve dhe popujve tanë, duke shprehur interesimin e përbashkët në thellimin dhe zgjerimin të tyre në të ardhmen, sidomos sa i përket zgjerimit dhe thellimit të bashkëpunimit ekonomik.
Presidenti Topi, bëri një panoramë të përgjithshme të zhvillimeve progresive të vendit në rrugën integruese në Bashkimin Evropian dhe në këtë kuadër, vuri në dukje se “vendimi për liberalizimin e vizave të Shqipërisë me BE-në konsiderohet nga pala shqiptare një hap i rëndësishëm pozitiv përpara, por edhe si një mundësi, apo detyrim më shumë për të punuar e për të qenë të suksesshëm në realizimin e plotë dhe me sukses të reformave të gjithanshme që ka vendi”.
Presidenti shqiptar, nënvizoi rolin moderator dhe konstruktiv të Shqipërisë në rajonin e Ballkanit Perëndimor, ku ai ritheksoi se “Shqipëria beson se Pavarësia e Kosovës, e deklaruar në pajtueshmëri të plotë me të drejtën ndërkombëtare, ka dhënë kontributin më të çmuar në drejtim të stabilizimit të rajonit tonë”.
“Ne mbështesim dialogun e drejtpërdrejtë Kosovë-Serbi si shtete të pavarura dhe sovrane për çështje teknike me interes të përbashkët” tha kryetari i shtetit, duke i kërkuar Presidentit Nazarbajev që të ushtrojë influencën për rritjen e numrit të shteteve, që do të njohin pavarësinë e Kosovës dhe anëtarësimin e saj sa më të shpejtë në organizma të rëndësishme financiare botërorë siç është BERZH-i.
Presidenti i Kazakistanit, Nursultan Nazarbajev, pasi vlerësoi rëndësinë e vizitës së Presidentit Topi në Astana dhe pjesëmarrjen në Samitin e OSBE-së, shprehu bindjen se vizita të tilla të ndërsjellta të nivelit më të lartë kontribuojnë në rritjen dhe zgjerimin e marrëdhënieve të gjithanshme dypalëshe.
Presidentët shkëmbyen ftesa reciproke për vizita shtetërore, që u pranuan me kënaqësi. Këto vizita do të bëhen të shoqëruara nga grupe të rëndësishme biznesi, që do i shërbejë njohjes dhe shkëmbimit të ndërsjellë të mendimeve duke u finalizuar dhe me nënshkrime marrëveshjesh efikase ekonomike-tregtare.
Po sot kryetari i shtetit zhvilloi edhe një takim të ngrohtë e të përzemërt me disa përfaqësues të bashkësisë shqiptare, që punon dhe jeton prej vitesh në Kazakistan.
Gjatë takimit u vlerësua roli dhe kontributi i shqiptarëve nga të gjitha trojet për thellimin dhe konsolidimin e marrëdhënieve mes popujve tanë si dhe në veçanti për rritjen e marrëdhënieve ekonomike.
mit/NOA