Astana, 1 dhjetor, NOA – Ministri i Punëve të Jashtme të Norvegjisë, Jonas Gahr Støre duke vlerësuar zhvillimet ekonomike në Shqipëri ka shprehur mbështetjen e Norvegjisë për projektin e Staatoil për ndërtimin e gazsjellësit “Trans-Adriatik Pipeline”.
Gjatë takimit që pati sot me ministrin tonë të Punëve të Jashme, Edmond Haxhinasto, në Astana të Kazakistanit ku po zhvillohet samiti i krerëve të shteteve dhe qeverive të OSBE-së, ministri i Jashtëm norvegjez, Jonas Gahr Støre nënvizoi interesin në rritje të investitorëve norvegjezë për të investuar në Shqipëri.
Ministri Haxhinasto ripërsëriti vullnetin e Qeverisë së Shqipërisë për zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve me Norvegjinë, për të intensifikuar dialogun politik dhe për të plotësuar kuadrin ligjor në fushën e bashkëpunimit ekonomik.
Shqipëria, tha Haxhinasto, ofron një klimë të favorshme për investimet Norvegjeze, veçanërisht në fushën e energjitikës dhe turizmit.
Të dy homologët, Edmond Haxhinasto dhe Jonas Gahr Støre shkëmbyen mendime mbi mundësitë e bashkëpunimit të mëtejshëm në arenën ndërkombëtare.
mit/NOA