English

Përfundon rishtas në pranga, Ylli Kelmendi, dëshmitari i vrasjes së Mirit të Xhikes

Tiranë, 1 dhjetor, NOA/ Irma Toptani – 45 vjeçari Ylli Kelmendi, miku i ngushtë dhe dëshmitari i vrasjes së Fatmir Ramës, pronarit të “Kartodromit” në dalje të Tiranës, 7 vjet më parë në mars të 2003-it, ka përfunduar sërish sot pasdreke në prangat e policisë për armëmbajtje pa leje.

Ylli Kelmendi, një person i njohur në regjistrat e policisë së shtetit ishte liruar nga burgu me kusht në maj të vitit 2009.

Policia bëri të ditur se 46 vjeçari Kelmendi u prangos për arsye se ai ishte kapur teksa ecte në rrugë me një pistoletë në brez.

Por, pas kontrollit në banesën e tij, Kelmendit iu gjetën edhe dy automatikë.

Ylli Kelmendi është dëshmitari kryesor i vrasjes së Fatmir Ramës, i ashtuquajturi Miri i Xhikes, pasi në ditën e vrasjes së Ramës, në lokalin e tij “Kartodromi 2000”, Kelmendi ishte bashkë me Fatmir Ramën ulur në tavolinë, kur nga një breshëri automatiku u vra Fatmir Rama.

Sipas policisë Kelmendi është arrestuar disa herë radhazi për armëmbajtje pa leje.

Më 25 maj të vitit të kaluar Gjykata e Rrethit të Tiranës liroi Ylli Kelmendin, një nga dëshmitarët e vrasjes së "Mirit të Xhikes".

Gjykatësi Petrit Çomo vendosi lirimin me kusht të Kelmendit, të dënuar me 2 vjet burg "për armëmbajtje pa leje" dhe "kundërshtim të efektivave të policisë".

Sipas vendimit të gjykatës, 44-vjeçari Ylli Kelmendi nuk duhet të kryejë asnjë vepër tjetër penale, në të kundërt do të vuajë dënimin e mbetur përveç akuzës së re.

Ngjarja për të cilën është dënuar nga Gjykata e Tiranës Ylli Kelmendi, ka ndodhur më 3 korrik të vitit të kaluar kur ka qenë duke kaluar me automjetin e tij, pranë Kuvendit të Republikës.

I dënuari refuzoi t'i ushtrohej kontrollit fizik, duke shtyrë dhe efektivat e policisë. Ditën e ndalimit, ai mbante me vetë një pistoletë pa leje.

i.t/NOA

KOMENTE