Tiranë, 1 Dhjetor 2010 NOA / Rid Bulku – Qeveria shqiptare ka vendosur që t’i japë Afganistanit plot 30 mijë automatikë dhe 50 milionë fishekë.
Vendimi u mor sot nga Këshilli i Ministrave, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Arben Imami.
Sipas vendimit, në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 7, të nenit 14, të ligjit nr.8671, datë 26.10.2000, “Për pushtetet dhe autoritetet e komandimit e të drejtimit strategjik të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, qeveria vendosi dhënien, pa shpërblim, të 30 mijë automatikëve 7.62 mm, model 56, dhe të 50 milionë fishekëve 7.62 mm, model 56, qeverisë afgane.
Armet dhe municionet jepen për Policinë Kombëtare Afgane, si kontribut i Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, në kuadër të përpjekjeve të koalicionit ndërkombëtar kundër terrorizmit.
e.r/NOA