English

Rama për shkarkimin: Berisha nuk është njeriu i duhur për të na kujtuar flamurin

Tiranë, 1 dhjetor, NOA – Pas deklaratave të bëra nga kryeministri Sali Berisha për shkarkimin e kreut të Bashkisë së Tiranës ka ardhur dhe reagimi i kryebashkiakut Edi Rama.

“Kryeministri të merret me zonën e përmbytur të Shkodrës, shëmbëlltyra më kuptimplotë e dështimit të tij dhe mos rreket më kot ta mbuloj dështimin e tij duke përgojuar flamurin e kombit dhe flamurin e përbashkët të të gjithë shqiptarëve, për të cilin është njeriu më i paduhur që të mund të na e kujtojë ne të tjerëve”, tha sot Rama.

Deklarata e kryetarit të Bashkisë së Tiranës u bë sot gjatë inspektimit të punimeve për gjelbërimin e bllokut të banimit “Njazi Meka”, në Allias.

Kreu i Bashkisë së Tiranës, njëherazi dhe kryetari i PS-së ka theksuar se akuzave të kryeministrit po u përgjigjet me mbjelljen e pemëve.

“Treqind shpifjeve të Saliut për një muaj, 30 ditë nga dhjetë shpifje në ditë, ne i përgjigjemi sot me 300 pemë dhe drurë dekorativë në një ditë, në një bllok banimi të rikonstruktuar, ku sot rikthehemi për t’i shtuar përmasën e gjelbër, siç do të rikthehemi në të gjitha blloqet që kemi rindërtuar”, tha Rama.

Deklarata e Ramës erdhi pas qëndrimit të sotëm të kryeministrit Sali Berisha në mbledhjen e qeverisë ku u shpreh se kreu i bashkisë shkeli nderin e shqiptarëve duke mos dekoruar qendrën e qytetit me rastin e 89-vjetorit të Pavarësisë.

a.k/NOA

KOMENTE