English

Shtabi i emergjencës: Evakuohen 1 mijë banorë, janë përmbytur 7780 hektarë tokë

Shkodër, 1 dhjetor, NOA – Ndërsa përmbytjet në Veri të vendit dhe pikërisht në zonën e Shkodrës vazhdojnë të rriten ethshëm nga ora në orë, si rezultat i reshjeve e prurjeve të mëdha të ujit në lumenjtë e zonës, shtabi i emergjencës civile i mbledhur pasdite në Shkodër bëri me dije se janë evakuuar deri tani 1 mijë banorë nga zonat e përmbytura.

Sipas të dhënave banorët e evakuuar janë nga komunat e Ana e Malit, Bërdicës, Dajçit, Gurit të Zi dhe Bushatit, pasi në këto zona situata e përmbytjeve shfaqet tejet e përkeqësuar.

Gjithashtu mësohet se janë përmbytur edhe zona të tjera që gjenden në periferi të qytetit të Shkodrës, si përshembull lagjet Ajasëm, Bahçallëk dhe Livadhë.

Shtabi i emergjencës civile sqaroi se janë përmbytur 7780 hektarë tokë bujqësore, dhe plot 1190 shtëpi janë të rrethuara nga uji, si pasojë shirave të rrëmbyer dhe tejfryrjes së lumenjve Buna e Drin, duke bërë që ata të dalin nga shtretërit e tyre, duke tejfryrë kështu edhe liqenin e Shkodrës.

Bëhet e ditur se në terren po punojnë 475 efektiva të policisë së shtetit dhe rreth 450 forca të ushtrisë, të cilët po evakuojnë banorët me mjete të tonazhit të rëndë dhe mjete lundrimi, e fandroma.

Ndërkaq po evakuohen nga fshatrat e përmbytur edhe 5100 bagëti.

Si rezultat i përmbytjeve në Shkodër është shpallur sot nga qeveria gjendja e fatkeqësisë natyrore.

mit/NOA
KOMENTE