Astana, (Kazakistan), 1 dhjetor, NOA – "Bashkëpunimi i fuqishëm mes dy vendeve tona do të vazhdojë të ecë përpara në rrugën e vet të mbarë”. Ky është vlerësimi që kanë dhënë për nivelin e marrëdhënieve mes dy vendeve, Presidenti Bamir Topi dhe homologu i tij turk Abdullah Gyl, në takimin e zhvilluar Kazakistan, në Samitin e Krerëve të Shteteve dhe Qeverive të OSBE-së.
Presidenti turk, Gyl, e përgëzoi presidentin Topi për një arritje tepër të rëndësishme për vendin, siç është liberalizimi i vizave me Bashkimin Evropian. "Liberalizimi i vizave për qytetarët shqiptarë na mbush me kënaqësi dhe është një hap shumë pozitiv përpara, që do t’ju ofrojë mundësi edhe më të mëdha bashkëpunimi në fushën ekonomike-tregtare si dhe rritjen e numrit të investitorëve."
Gjatë bisedës të dy Presidentët pasi shkëmbyen pikëpamje dhe mendime edhe për situatën në rajon, ku theksuan rëndësinë e rritjes së numrit të vendeve që do të njohin pavarësinë e Kosovës, ndanë të njëjtën bindje se:
Duke folur për bashkëpunimin dy palësh, Topi vlerësoi mbështetjen e vazhdueshme dhe të pakursyer, që Turqia ka dhënë për Shqipërinë.
“Edhe këto takime të niveleve të larta në kuadër të organizatave dhe nismave ndërkombëtare tregojnë më së miri klimën e shkëlqyer të marrëdhënieve midis dy vendeve tona, marrëdhënie që shkojnë përherë e më tepër drejt forcimit të mëtejshëm në interes të popujve tanë”, tha Topi.
Të dy homologët vlerësuan bashkëpunimin e frytshëm në kuadër të misionit paqeruajtës në Afganistan ku forcat ushtarake të të dyja vendeve japin kontributin e tyre krah për krah në dobi të forcimit të paqes dhe qëndrueshmërisë.
a.k/NOA