Tiranë, 1 Dhjetor 2010 NOA/ R.Bulku - Një epokë e re në teknologjinë celulare sapo ka nisur për Shqiptarët! Në sajë të teknologjisë 3G, nuk do të ketë më kufij virtualë apo kufizime të internetit të shpejtë pa tela në çdo kënd të Shqipërisë.
Mbas shpalljes zyrtare nga Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) si fituese e tenderit për teknologjinë 3G, Vodafone Albania njofton se fillimi i shërbimeve 3G në kryeqytetin Tiranë është tashmë çështje javësh. Haris Broumidis, Drejtori i Përgjithshëm Vodafone Albania tha sot se Vodafone është i lumtur që është operatori i parë që do të ofrojë teknologjinë e shumëpritur 3G në Shqipëri.
“Jemi jashtëzakonisht të lumtur që tashmë mundemi të sjellim në tregun shqiptar teknologjinë 3G e cila do të ngrejë në një shkallë shumë të lartë cilësinë dhe shumëllojshmërinë e komunikimit të individëve dhe bizneseve dhe do të ketë një rol të prekshëm në zhvillimin e mëtejshëm ekonomik dhe social të vendit” – tha Z. Broumidis.
Ne fjalën e tij Z. Broumidis tha se Vodafone Albania do të ndërtojë një rrjet krejtësisht të ri 3G dhe planifikon të investojë 70 milionë euro në mënyrë që ta shtrijë këtë rrjet në çdo cep të Shqipërisë gjatë 18 muajve të ardhshëm.
Sipas z. Broumidis, në pak javë klientët do të kenë mundësinë t’iu gëzohen shërbimeve 3G në Tiranë dhe më tej, çdo muaj, rrjeti do të shtrihet në zona të tjera duke filluar nga qendrat e mëdha urbane e deri në zonat e largëta rurale.
Përmes investimit në teknologjinë 3G, Vodafone Albania jo vetëm që do të fuqizojë komunikimin e klientëve të vet aktualë por do të hapë një perspektivë krejt të re të internetit me bandë të gjerë për të gjithë shqiptarët.
Sipas z. Broumidis teknologjia 3G do të revolucionarizojë përdorimin internetit të shpejtë në çdo pajisje që mund të akomodojë një kartë SIM Vodafone, pavarësisht nëse përdoret në një telefon celular, kompluter, lap-top etj.
Kompania ka njoftuar se do të fillojë të ofrojë shpejtësi shkarkimi deri 14.4 Mbps në të gjithë zonat e mbuluara me rrjet 3G, shpejtësi e cila do të ngrihet në nivele akoma dhe më të larta në zonat më të dendura gjatë vitit tjetër.
Duke qenë e para në aplikimin e teknologjisë 3G në Shqipëri, Vodafone përforcon më tej angazhimin e vet për të qenë në krye të risive teknologjike duke sjellë e para tek klientët përfitimet e avancimeve më të fundit teknologjike, një fakt që e ka pozicionuar Vodafone si më të madhen dhe më novatoren nga kompanitë e telekomunikacionit në vend.
e.r/NOA