Tiranë, 2 dhjetor, NOA, Update – “Mirëdita. Isha gati të thoja mirëmëngjes. Besoj se tani është mëngjes në Uashington, DC. S’mund t’ju them sa i lumtur jam, që ndodhem këtu sot. Kjo është vizita ime e parë në vendin tuaj të bukur dhe pyes veten pse kam pritur kaq gjatë. Jam thellësisht i nderuar që jam Ambasadori i ri i Sh.B.A-ve, këtu në Shqipëri”.
Këto ishin vlerësimet e para të diplomatit të ri të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Alexandër Arvizu, i cili ka mbërritur sot në orët e pasdrekes në kryeqytetin shqiptar.
Në deklaratën e tij të parë për mediat ai vlerësoi marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe SHBA-ve, si dhe rikonfirmoi se do të ushtrojë detyrën e tij duke ndjekur gjurmët e lëna dhe udhën e shtruar nga ambasadorët paraardhës.
“Jam shumë mirënjohës që Presidenti Obama dhe Sekretarja Klinton më zgjodhën mua për këtë nder të madh. Jam shumë i ndërgjegjshëm për faktin se shkel në gjurmët e disa paraardhësve të jashtëzakonshëm që kanë qënë këtu 20 vitet e fundit, që nga rivendosja e marrëdhënieve. Flas sigurisht për paraardhësin tim të nderuar Xhon Uidhers, por jo vetëm për të, edhe shumë të tjerë para tij. Shpresoj vetëm, që të mund të vazhdoj në gjurmët e trashëgimisë që ata kanë lënë”, deklaroi ambasadori i ri i SHBA-ve, Arvizu.
Ai u shpreh se është vizita e parë në Shqipëri dhe se ndjehet krenar e i nderuar që do të jetë ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Tiranë.
“Unë jam i porsaardhur në këtë rajon. Kam shumë për të mësuar, por jam shumë shumë i emocionuar për këtë mundësi. Duket se me çdo muaj që kalon, Shqipëria vazhdon marshimin e pandalshëm drejt integrimit më të ngushtë me bashkësinë euro-atlantike. Mendoj se ky është një zhvillim shumë pozitiv”, tha zoti Arvizu.
Arvizu komentoi edhe marrëdhëniet dhe afërsinë mes Shqipërisë dhe SHBA-ve.
“Por, duhet t’ju them se më duket veçanërisht prekëse, si ambasador amerikan, fakti që të gjithë me të cilët kam folur kanë thënë se populli shqiptar ka një lidhje të veçantë me Shtetet e Bashkuara dhe popullin amerikan. Dhe, për një ambasador amerikan që sapo mbërrin, nuk mund të ketë ndjenjë më të bukur se kjo.
Di se ka shumë punë për të bërë. Jam i ndërgjegjshëm se jo gjithçka ka për të qenë e lehtë, por më shumë se çdo gjë pres me padurim të takoj popullin e mrekullueshëm shqiptar. Do të ketë shumë punë për të bërë këtu në kryeqytet dhe pashmangshmërisht ambasadorëve u duhet të kalojnë shumë kohë në kryeqytet”, u shpreh diplomati amerikan.
Ai nuk la pa përmendur në këtë kontekst bukuritë e natyrës shqiptare, të cilat sikundër tha ai mezi pret t’i vizitojë nga afër.
“Më shumë se çdo gjë tjetër, pres të udhëtoj në këtë vend të bukur, në vende si Gjirokastra, Shkodra, Liqeni i Ohrit, Saranda, Vlora. Jam i sigurt se nuk kam përmendur shumë vende, dhe kam shqiptuar gabim disa prej tyre, por kam ndërmend t’i vizitoj edhe ato”, nënvizoi ambasadori Arvizu, duke i falenderuar gazetarët dhe garantuar ata se do të ritakohet shpesh në të ardhmen.
Gjatë ditëve në vijim pritet që ambasadori i SHBA-ve, Aleksandër Arvizu të paraqesë letrat kredenciale tek Presidenti Bamir Topi, si dhe të zhvillojë takime me ministrin e Jashtëm, Edmond haxhinasto e kryeministrin Sali Berisha.
Diplomati i karrierës Arvizu, i cili më parë ka dhënë kontributin e tij si zëvendësndihmëssekretar në Zyrën e Çështjeve të Azisë Lindore dhe Paqësorit, apo në Bankok të Tajlandës dhe në Pnom Pen të Kamboxhias si zëvendësshef i misionit diplomatik si dhe në Korenë e Jugut apo Japoni, ambasadori Aleksandër Arvizu shprehu bindjen se edhe në Shqipëri do të mësojë shumë.
Aleksander Arvizu ka punuar edhe në Këshillin e Sigurimit Kombëtar në Washington
a.k/mit/NOA