Tiranë, 2 dhjetor, NOA- Kjo qeveri do të qëndrojë nga Veriu në Jug, kjo qeveri është në këmbë e kjo qeveri do t’u dalë për zot qytetarëve të përmbytur.
Këto ishin fjalët e kryeministrit Sali Berisha, i cili mori fjalën menjëherë pas kërkesës së kreut të Grupit Kuvendor të PS-së, Gramoz Ruçi.
I revoltuar, shefi i qeverisë theksoi se nuk ka asnjë të zhdukur në Shkodër, duke i bërë thirrje socialistëve, të mos mashtrojnë, pasi sipas Berishës, të zhdukurit e vetëm janë socialistët.
Ai akuzoi opozitën se nuk do t’ia dijë për qytetarët e Shkodrës, e as për katër fëmijët e fikur nga qiriri pak ditë më parë, në pamundësi të dritës për të parë.
“Në memorien e qytetarëve shqiptarë do të mbeten të paharruara për jetë të jetëve qëndrimi makabër i atyre që duartrokitën për shpirtrat e vdekur, pasi cilido që të ishte mllefi juaj, s’mund të duartrokisnit kurrë”, tha kryeministri Berisha, duke i thënë opozitës se “ishit ju që përdhosët vendin duke cituar emrat e katër vogëlushëve të vdekur”.
Shefi i ekzekutivit i tha kreut të Grupit kuvendor të PS-së, ai duhet t’u kishte kërkuar falje qytetarëve shqiptarë, pasi sikundër tha kryeministri “Ju shkelmuat mbi shpirtrat e katër fëmijëve të djegur në vatrën e tyre”.
Por, për ju tha i tha kryeministri deputetëve socialistë, s’ka tjetër interes përveç të mirës së kryetarit tuaj, ardhjes në pushtet.
“Përkuluni sot se keni përdhosur shpirtrat e vogëlushëve të fikur”, tha zoti Berisha.
Në vijim ai dha të dhëna mbi situatën e përmbytjeve në Shkodër, ku garantoi se qeveria është ngritur në këmbë që t’u japë ndihmën të gjityhë banorëve të fatkeqësisë natyrore. Vijon...
mit/NOA