English

Berisha: Situatë emergjence jo afatshkurtër, të nisin evakuimet

Shkodër, 2 dhjetor, NOA – Në mbledhjen me Shtabin e Emergjencës në Shkodër për situatën e krijuar nga përmbytjet, kryeministri Sali Berisha deklaroi se situata është e pazakontë në këtë rreth.

Ai tha se zhvillimet kanë qenë të rrufeshme dhe gjatë ditës së djeshme ka pasur shtim të madh të ujërave, si pasojë e prurjeve shumë të mëdha të lumenjve të Alpeve deri në 1800 m3/sekondë, por edhe rritjes së prurjeve në liqenet e kaskadës së Drinit, që ka detyruar rritjen e shkarkimeve nga kaskada deri në 2900 m3/sekondë.

Kryeministri theksoi se ndodhemi para një situatë emergjence jo afatshkurtër, për shkak edhe të parashikimeve jo optimiste të kushteve atmosferike, në ditët në vazhdim. “Ka një emergjencë totale dhe është shtrirë përnjëherësh. Ndaj kryefjala e të gjithë përpjekjes sonë duhet të jetë evakuim, evakuim, evakuim. Kjo është ajo, ku ne duhet të përqendrohemi me çdo mjet”, tha Berisha.

Ai kërkoi që përpjekjet të përqendrohen maksimalisht në evakuimin e banorëve nga zonat e përmbytura dhe ato në rrezik përmbytjeje, duke angazhuar të gjitha mjeteve e ushtrisë dhe policisë dhe në rast nevoje, marrjen me qira të mjeteve shtesë nga kompani private që disponojnë mjete transporti.

“Ushtria ka sjellë këtu të gjitha mjetet e transportit, policia gjithashtu, të merren me qira edhe nga kompani private, të cilat disponojnë mjete transporti. Janë sjellë rreth 30 varka. Të shohim se çfarë kapacitetesh lundruese mund të sigurojmë”, tha Berisha.

a.k/NOA

KOMENTE