English

ÇIP: Transparencë aktesh zyrtare, shqiptarët ta dinë se ç’farë ndodh në vend

Washington, 2 dhjetor, NOA - Forcimi i transparencës qeverisëse përmes promovimit të botimit elektronik të akteve zyrtare ishte lajtmotiv i një tryeze të rrumbullakët mbajtur nga qendra për Çështje të Informimit Publik, ÇIP, mbështetur nga “National Endowment for Democracy”, NED, me qendër në Washinton D.C.

Qëllimi kryesor i tryezës ishte eksplorimi i mënyrave më të përshtatshme, me sa më pak kosto legjislative dhe ekonomike, për hyrjen në fuqi të akteve normative edhe përmes botimit elektronik të Fletores Zyrtare.

Draftimi i ndryshimeve të reja në legjislacionin, që rregullon procesin e botimit të akteve, ishte gjithashtu qëllim i kësaj tryeze.

“Shqiptarët gjithmonë e më shumë sot janë konsumatorë të informacionit zyrtar. Njëkohësisht ata janë përherë e më të ndjeshëm ndaj çdo privimi apo mungese në këtë drejtim”, thanë organizatorët e tryezës, dhe ÇIP, si një operator i shoqërisë civile i specializuar në fushën e transparencës së botimeve zyrtare, i përmbahet motos se “Shqiptarët duhet ta dinë se ç’farë ndodh në vendin e tyre”.

Sipas ÇIP-it, aktet zyrtare janë një aset kombëtar me vlerë të pazëvendësueshme, dhe si të tilla ato duhet të jenë në përdorim dhe të prekshme prej të gjithë shqiptarëve.

Diskutimi i nisur sot për transparencën dhe efikasitetin e sistemit të publikimeve zyrtare adresohet për herë të parë në hapësirën e debatit institucional dhe publik në Shqipëri, si një përpjekje e koordinuar midis shoqërisë civile dhe institucioneve qeverisëse. Diskutimet në këtë tryezë ritheksuan faktin se sot Shqipëria ka një strukturë institucionesh demokratike në konsolidim të vazhdueshëm, me një prirje konstante drejt hapjes me publikun përmes mjeteve të ndryshme që mundësojnë transparencë në vendimarrjen e saj.

Publikimet zyrtare të Republikës së Shqipërisë janë bërë pjesë gjithashtu e axhendës së këtyre ndryshimeve të rëndësishme.

Qendra ÇIP theksoi se ajo mbështet pa rezerva nevojën për rritjen e efikasitet të botimeve zyrtare përmes përdorimit të teknologjive të reja të informacionit, andaj ajo ofron përvojën e saj të akumuluar në këto tre vite që ajo monitoron botimin e akteve në Fletore Zyrtare.

Në tryezën e rrumbullakët të organizuar nga ÇIP mori pjesë edhe zëvendësministrja shqiptare e Drejtësisë, Brikena Kasmi si dhe drejtori i përgjithshëm i Politikave Tregtare në Ministrinë e Ekonomisë, Tregëtisë dhe Energjitikës, Besjan Pesha si dhe përfaqësues nga Avokati i Popullit, Universiteti i Tiranës.

mit/NOA
KOMENTE