English

Eduard Selami: Berisha dhe Rama, luftë për të ruajtur pushtetin personal (VIDEO)

Uashington, 3 Dhjetor 2010 - Më 8 dhjetor Shqipëria shënon 20 vjetorin e përmbysjes së komunizmit dhe fillimin e përpjekjeve për të krijuar një sistem të bazuar në shtetin juridik dhe iniciativën e lirë ekonomike.

Që nga ato ditë të largëta të dhjetorit 1990 deri sot, Shqipëria ka shënuar përparime të mëdha, vendi është anëtarësuar në aleancën e NATO-s, në këtë klub elitar ushtarako-politik, së shpejti bëhet pjesë e zonës së udhëtimit të lirë Shengen dhe është në fillimet e procesit të integrimit në Bashkimin Evropian.

Por ky zhvillim drejt demokracisë është shoqëruar me ulje e ngritje, shpesh edhe të dhimbshme. Sot edhe 20 vjet pas protestave të para për demokraci, demokracia nuk është plotësisht funksionale.

Shqipëria ende nuk ka zgjidhur një prej proceseve bazë demokratike, zhvillimin e zgjedhjeve plotësisht të lira e të drejta dhe të pranueshme nga të gjitha palët.

Për të folur më gjatë për këto zhvillime në Shqipëri radio Zëri i Amerikës intervistoi ish kryetarin e Partisë Demokratike, Eduard Selami.

Ai pohon se liderët e politikës shqiptare, Berisha dhe Rama po bëjnë sipas tij, gjithë ç’është e mundur që të ruajnë kolltukët e tyre: “Nuk bëhet fjalë për një debat të shëndetshëm në interes të demokracisë, por një personalizim ekstrem, që fatkeqësisht bëhet për të ruajtur pushtetin personal të liderëve aktualë”.

Më poshtë intervista e plotë e zbardhur dhe në video:

{youtube}_a8jv0SLiP8{/youtube}

Këto ditë ju po përgatiteni për të shkuar në Shqipëri me rastin e 20 vjetorit të lëvizjeve demokratike që çuan në fundin e sistemit diktatorial. Ju keni qenë ndër aktivistët e parë të lëvizjeve që çuan në përmbysjen e sistemit, më pas ju u larguat nga jeta politike, dhe gjatë gjithë këtyre viteve i ndiqni zhvillimet në Shqipëri si një vëzhgues i pavarur. A mendoni se sot Shqipëria i ka realizuar ëndrrat, idealet, që ju kishit atëherë për demokracinë në Shqipëri?
Pjesërisht. Do të thoja që lëvizja e dhjetorit pa diskutim është një nga lëvizjet më progresive në historinë 100 vjeçare të shtetit shqiptar. Mos të harrojmë që u rrëzua diktatura më e egër komuniste e Evropës dhe mbase e botës, siç shumë njerëz e kanë këtë mendim. Kështu që në këtë pikë unë mendoj se pa dyshim që rrëzimi i komunizmit përbën një fitore të madhe. Por e siç e vure re ti me të drejtë, ana e dytë, ajo e vendosjes së një demokracie funksionale nuk është përfunduar plotësisht. Po merr më shumë kohë se ç’duhet dhe unë mendoj se në këtë pikë ka vend për përmirësime. Dëshira e popullit shqiptar, dëshira e studentëve të dhjetorit, e të gjithë atyre njerëzve që rrezikuan dhe sfiduan diktaturën më të egër komuniste ishte për një Shqipëri si gjithë Evropa dhe 20 vjet janë shumë që kjo (demokraci) të mos jetë në mënyrë funksionale.
Sot kur kujtoni atë periudhë të para 20 viteve, çfarë ju vjen kryesisht ndër mend?
Pa diskutim që është një gëzim i veçantë sepse u rrëzua komunizmi më i egër në Evropë dhe në mënyrë relativisht paqësore. Mirënjohja ime shkon tek të gjithë ata studentë të cilët e filluan këtë me një trimëri të veçantë, tek Azemi, tek Mimoza, tek Shënasiu, tek Arbeni, tek Saliu, tek Meksi, tek të gjithë ata njerëz që e sfiduan si të thuash diktaturën më të egër dhe të mos harrojmë se gjerat në atë kohë ishin shumë herë më të vështira. Mirënjohja ime është tek Zëri i Amerikës, që për ne ishte zëri frymëzues, zëri i së vërtetës të cilës ne i drejtoheshim në atë kohë, tek ekipi i Elez Biberajt dhe i gjithë Zërit të Amerikës, të cilët na mbanin gjallë me shpresë dhe na orientonin në drejtimin tonë drejt demokracisë. Kështu që në këtë pikë kënaqësia nuk fshihet dhe unë prandaj, siç e vutë ju në dukje në fillim të intervistës, do ta ndaj atë me miqtë e mi të atëhershëm.

Të ndalemi tek zhvillimet në Shqipëri gjatë këtyre 20 viteve. Ta fillojmë me njoftimin e fundit. Partia Socialiste paraqiti sot në parlament propozimin e saj për zgjidhjen e pretendimeve, që ajo kishte ngritur, për zgjedhjet e qershorit 2009. A mendoni se Shqipëria pati përfitim nga debati i gjatë mbi zgjedhjet e qershorit, që zgjedhjet e ardhshme, duke filluar nga ato lokalet pas disa muajsh, të përfundojnë të pakontestuara?
Jo dhe unë mendoj se në këtë pikë koha ty të dha të drejtë. Në intervistën e fundit që kemi bërë unë isha pak më optimist se ç’ishe ti, që vure me të drejtë në dukje disa shqetësime për zgjedhjet. Mendimi im ishte që Shqipëria e kishte kaluar fazën e kontestimit të zgjedhjeve. Koha e provoi gabim. Unë nuk e mohoj të drejtën e opozitës për ta përmirësuar këtë gjë. Por mendoj që nga ky konflikt, ku të dyja palët, për mendimin tim, kanë pjesën e tyre të përgjegjësisë, ajo që humbi përsëri është Shqipëria. Humbi anëtarësimi në Këshillin Evropian, një ëndërr që siç e përmenda, ishte ëndrra jonë për 20 vjetorin e demokracisë në Shqipëri. Kështu që në këtë pikë, unë mendoj që një demokraci funksionale, dhe e kemi përsëritur kaq herë këtë gjë sa po bëhet e lodhshme, ka nevojë për të dyja palët. Sa më parë të kuptohet kjo, aq më mirë është. Elita politike Shqiptare nuk duhet të mbajë peng ëndrrën dhe dëshirën e shqiptarëve, për një Shqipëri evropiane të përparuar. Rrethanat ndërkombëtare si rrallë ndonjëherë kanë qenë në favor të Shqipërisë në këto 100 vjet të krijimit të shtetit shqiptar. Elita politike shqiptare duhet ta shikojë me përgjegjësi këtë anë dhe duhet t’i shërbejë më mirë misionit të plotësimit të ëndrrave të shqiptarëve.
Kur flisni për elitën politike shqiptare, pa dyshim që gjatë këtyre 20 vjetëve, skena politike në Shqipëri është dominuar nga Partia Demokratike dhe Partia Socialiste, që në marrëdhëniet mes tyre kanë patur një konfliktualitet të vazhdueshëm. Në demokraci debati, argumentet, janë të mira, i mbajnë zhvillimet gjallë dhe palët kontrollojnë dhe balancojnë njëra-tjetrën, në një farë mënyre. A mendoni se në Shqipëri kjo formë debati ka ndihmuar apo ka penguar zhvillimet në vend.
Në vetvete debati, siç e thatë edhe ju, është thelbi i demokracisë. Nuk mund të ketë demokraci pa debat, por mendoj se debati është personalizuar në mënyrë ekstreme dhe debati shpesh herë është kthyer në qëllim në vetvete. Këtu shembulli më i qartë dhe më i dëmshëm është viti 1997. Dhe këto debate artificiale janë zhvilluar dhe janë mbajtur në mënyrë të gjatë dhe pastaj pa pritur është harruar se ku ka qenë debati dhe është filluar prapë loja nga e para. Mos harrojmë se protagonistët kryesorë, kanë qenë armiq kryesorë përpara, ndërsa sot janë aleatë, sikur kalohet ylberi, pa asnjë lloj argumenti. Pra unë mendoj se nuk bëhet fjalë për një debat të shëndetshëm në interes të demokracisë, por një personalizim ekstrem, që fatkeqësisht bëhet për të ruajtur pushtetin personal të liderëve aktualë.
Po ashtu vëzhguesit kanë vënë në dukje edhe një element tjetër në kuadër të debatit në Shqipëri, mungesën e debatit të civilizuar sidomos në parlament, që ndikon jo fort mirë për zhvillimin e vendit.
Patjetër. Kjo është një nga arsyet kryesore. Natyrisht NATO është një element i rëndësishëm, por kur ne nuk pranohemi, kur ne kërkojmë të anëtarësohemi në Evropë, si mundet ne të ofrojmë një parlament të tillë jo funksional, që edhe kur funksion, funksionon pa normat minimale të etikës. Këto janë disa parime kryesore në çdo shoqëri demokratike. Aspekti etik është ana që duket, por edhe në aspektin funksional, si mundet të funksionojë parlamenti pa opozitën? Në këtë pikë unë mendoj që patjetër ka vend për përmirësime serioze dhe kjo është pengesa kryesore për realizimin e ëndrrës së dhjetorit, për një Shqipëri evropiane.
Një element tjetër për të cilin Shqipëria është kritikuar vitet e fundit, është çështja e korrupsionit. PD erdhi në pushtet në vitin 2005 nën parullën e luftës kondër korrupsionit. Sot megjithë pretendimet se është luftuar korrupsioni, ky fenomen në Shqipëri vazhdon të jetë një problem shqetësues. Si mendoni ju, përse nuk po luftohet korrupsioni, është vështirë për t’u luftuar, apo qeveria nuk po bën sa duhet?
Në një intervistë të para dy viteve ne arritëm në konkluzionin se lufta kundër korrupsionit duhet të shkojë paralel me forcimin e institucioneve. Sa kohë që nuk ka forcim të institucioneve nuk mund të ketë luftë kundër korrupsionin në mënyrë të suksesshme. Dhe për mendimin tim personal, anëtarësimi në NATO i Shqipërisë, që unë kisha shpresë se do të përshpejtonte funksionimin e demokracisë, më provoi të kundërtën. Demokracia shqiptare sot është më pak e suksesshme, se sa dy vjet më përpara. Ka hapa mbrapa në çdo vend, por unë mendoj që kjo është shqetësuese për mua. Dhe në këtë pikë, sa kohë që ka dobësim të institucioneve, ka lulëzim të korrupsionit. Unë jam dakort me analizën që Partia Demokratike e ka humbur, si të thuash, të drejtën e saj morale në luftën kundër korrupsionit dhe në këtë pikë, pa dyshim, faji është i elitës drejtuese.

KOMENTE