English

Hapet Club della Liberta, Albania

Tiranë, 2 Dhjetor 2010 NOA – Ditën e nesërme më datë 3 dhjetor 2010, ora 18.00, pranë Hotel Rogner, do të zhvillohet ceremonia e hapjes së Club della Liberta, Albania. Club della Liberta Albania është një shoqatë në gjirin e së cilës bëjnë pjesë përfaqësues të biznesit, politikës, mediave, shoqërisë civile, botës akademike.

Në ceremoninë e hapjes së Klubit të Lirisë do të marrë pjesë një delegacion i Club Della Liberta- Italia, kryesuar nga Presidenti i saj, Mario Valducci. Gjithashtu Valducci është një nga personalitetet më të rëndësishëm të Forza Italia dhe kryeson Komisionin Parlamentar të Transportit, Postës dhe Telekomunikacionit në Parlamentin italian.

Në këtë ceremoni do të jenë pjesëmarrës dhe personalitete të larta të politikës shqiptare, përfaqësues të kompanive të mëdha shqiptare dhe italiane, përfaqësues të mediave etj.

Kjo shoqatë është krijuar me dëshirën dhe vendosmërinë për të rinovuar, stimuluar dhe mbështetur pjesëmarrjen aktive të të gjitha grupeve shoqërore dhe të çdo qytetari në forcimin vlerave për një Shqipëri më të zhvilluar, një ekonomi më moderne dhe më të hapur, për mbështetjen e vizionit evropian të saj, duke tuteluar identitetin tonë kombëtar dhe traditat tona.

Klubi i Lirisë do të mbështesë reformimin dhe ndryshimin përmes iniciativave ekonomike, kulturore, sociale e politike, për një përhapje të parimeve dhe vlerave të demokracisë dhe bashkimit të të gjithë atyre që me punën e tyre kanë kontribuar me partitë, lëvizjet politike, biznesin, organizatat joqeveritare, në krijim e vizionit të Shqipërisë së të ardhmes në kontekstin evropian e botëror.

Klubi i Lirisë i drejtohet të gjithë atyre që duan lirinë në të gjitha format e saj. Ne e konsiderojmë individin si vlerën dhe pikën referuese kryesore, që vetë liria e vendos në plan të parë. Ne do të punojmë për individin dhe me individin.

Klubi i Lirisë nis punën me besimin që ekonomia të jetë në shërbim të zhvillimit të të gjithë shoqërisë.

“Ne besojmë në nevojën e shkrirjes së eksperiencave dhe bashkëpunimit mes hallkave, për një ekonomi të qëndrueshme, si një suport i domosdoshëm i kohezioni social dhe stabilitetit politik”, - thonë përfaqësues të organizatës.

“Klubi i Lirisë do të mbështesë aspiratën e një Shqipërie ku të gjithë të kenë mundësinë të realizojnë mirëqenien përmes punës dhe shkollimit dhe të shohin drejt së ardhmes me optimizëm, të ndërtojnë familjen dhe të ardhmen e fëmijëve të tyre. Ne aspirojmë dhe mbështesim një Shqipëri ku porta e shpresës të qëndrojë e hapur për të gjithë”, - është mesazhi i klubit.

e.r/NOA

KOMENTE