Tiranë, 2 dhjetor, NOA - Bashkia e Tiranës ka prezantuar sot 12 propozimet artistike që morën pjesë në konkursin e hapur “Një shenjë për Lord Bajronin” në Tiranë, ndër të cilat juria e këtij konkursi e përbërë nga urbanistë, arkitektë, studiues e skulptorë shpalli si veprën më të mirë atë të propozuar veprën e Vladimir Llakaj.
Për idenë më të mirë u shpall fitues propozimi i Gent Pipës, ndërkohë që çmimi për mjedisin më të mirë e mori Bora Baboçi.
Konkursi i shpallur më 20 tetor, ishte një thirrje e hapur për të gjithë ata që e ndienin se mund të kontribuonin me idetë dhe punën e tyre, për një shenjë për Lord Bajronin, si një nismë modeste për të vlerësuar dhe respektuar këtë figurë të rëndësishme për historinë dhe marrëdhëniet e të tjerëve me ne.
Kreu i Bashkisë së Tiranës Edi Rama, pas prezantimit të 12 propozimeve, duke folur mbi vlerat dhe aspektet e tyre tërheqëse, diversitetin, por njëkohësisht edhe cilësinë që ato përcjellin, kërkoi mirëkuptimin e të pranishmëve duke theksuar se përzgjedhja e më të mirëve i takon jurisë prej shtatë anëtarësh.
“Të gjitha projektet kanë aspektet e tyre tërheqëse dhe ato që quhen pozitive, në raport me qëllimin e konkursit, në raport me figurën e Bajronit, në raport me vendin ku cilado qoftë vepra do të vendoset, por kanë edhe arsyet e tyre më pak funksionale, duke filluar që nga realizueshmëria sipas përfytyrimit të secilit prej autorëve, deri tek domosdoshmëria që në të gjitha rastet kjo të jetë një vepër e cila reziston edhe fizikisht, në një mjedis ku ka njerëz, ku ka lëvizje, ku ka një raport gjithsesi për t’u zbuluar me veprën e artit, kështu që duhen parë të gjithë këto aspekte dhe sigurisht aspekti i fundit, jo për nga rëndësia është edhe aspekti i mundësive financiare, për realizimin e kësaj vepre, që në disa raste duket se i tejkalon mundësitë reale që kemi për ta parë të realizuar”, theksoi kryebashkiaku Rama.
Ai vlerësoi fituesit për kontributin, qasjen shumë kurajoze dhe elegancën me të cilën e kanë përballur këtë sfidë, duke përmendur faktin se ky proces do të vazhdojë me konkurse të kësaj natyre.
“Është e rëndësishme të nënvizohet se kjo zgjedhje nuk është një klasifikim vlerash, si në një garë sportive, është një zgjedhje e caktuar mes 12 propozimesh, që secili absolutisht ka cilësi, potencial për t’u zhvilluar dhe kanë mundësi që të zhvillohen, por duke marrë parasysh ato elementë që u thanë, të vendit, të marrëdhënies me mjedisin rreth e rrotull dhe me kalimtarin, të faktit që është një vend, i cili është sa në Laprakë, aq edhe në hyrje të Tiranës, pra nuk është një park i izoluar, brenda një territori të banuar, por është një park që qëndron në kufi mes rrugës hyrëse dhe zonës dhe sigurisht kjo është një paraqitje që premton, por duhet të zhvillohet deri në materializim, të përpunohet me detaje në të gjithë pikëpamjet, që nga materiali, tek madhësia, ndriçimi, harmonia dhe sigurisht do të duhet të shoqërohet me një propozim, apo me disa propozime, lidhur me trajtimin e fasadës mbrapa, e cila në një mënyrë apo në një tjetër, duhet të rikonceptohet, për ta lënë veprën që të marrë frymë lirisht dhe për t’u bërë pjesë e kësaj frymëmarrjeje”, nënvizoi shefi i Bashkisë së Tiranës.
Në konkursin e hapur “Një shenjë për Lord Bajronin” morën pjesë Thoma Dhamo, Bora Baboçi, Ilmi Kasemi, Emanuel Koko, Pjerin Kolnikaj, Mariglez Memajdini, Ardian Pepa , Gent Pipa, Sokol Velo, Vladimir Llakaj, Muntaz Dhrami dhe Mirel Myftaraj.
Fituesit u përzgjodhën nga një juri profesionistësh e përbërë nga Afrim Karagjozi – studiues, përkthyes dhe Kryetar i Shoqatës Shqiptare të Bajronit; studiuesi Adrian Klosi; arkitekti Maks Velo; skulptori Genc Mulliqi; arkitekti dhe urbanisti Artan Shkreli dhe studiuesi Auron Tare.
Çmimi për idenë më të mirë fitoi 50.000 lekë, ai për veprën më të mirë – 100.000 lekë dhe ai për mjedisin më të mirë 50.000 lekë.
Sipas jurisë vepra për Lord Bajronin duhet të ishte një vepër e përbërë, ku u paraqitën: një shenjë përfaqësuese e Bajronit, në gjatësinë e plotë të portretit të piktorit Thomas Philips; sfondi, me disa vargje nga krijimtaria e tij; mikromjedisi.
Por, në vëmendje të veprës duhet të ishte paraqitja e kostumit shqiptar, i cili është fokusi i atij portreti që ne njohim i pikturuar nga piktori Philips.
Shenja përfaqësuese e Bajronit derdhur në bronz, do të vendoset në hyrje të rrugës që mban emrin e tij, pasi në hyrje të rrugës “Lord Bajron”, pas rehabilitimit të saj kohët e fundit, është hapur një shesh publik i gjerë, i cili është vlerësuar nga specialistët urbanistë, i përshtatshëm për vendosjen e shenjës për Lord Bajronin.
Vendosja e kësaj vepre në sheshin e krijuar nga rikualifikimi urban i zonës mbështet idenë dhe vizionin e krijimit të nënqendrave urbane në qytetin e Tiranës dhe do të shtojë listën e elementeve që tërheqin vëmendje dhe turistë, si vendas ashtu edhe të huaj, në qendrën e rikualifikuar të Laprakës, e cila kohët e fundit është pasuruar me një qendër multimediale e bibliotekë, si edhe me mjedise të reja shkollore.
mit/NOA