English

Kosovë, kapen mbi 1 kg drogë në autobus, trafikanti arriti të ikë

Podujevë, Pejë, 2 dhjetor, NOA – Policia e Kosovës ka intensifikuar luftën kundër lëndëve narkotike dhe në dy raste të ndryshme, njëri i raportuar në Podujevë e tjetri në Pejë, policia ka arrestuar një të dyshuar si dhe ka konfiskuar më shumë se 1 kg substancë narkotike.

Burime nga policia e Kosovës informuan se një person që trafikonte marihuanë dhe që quhet Liridon. L i datëlindjes 1990 është ndaluar nga policia dhe gjatë kontrollit të tij i janë gjetur në posedim 19.4 gram substancë e dyshuar si marihuanë.

Pas arrestimit njësitë policore kanë kontrolluar edhe shtëpinë e të dyshuarit ku kanë gjetur dhe konfiskuar 86.7 gram substancë narkotike e llojit marihuanë dhe 138 gram mbetje të marihuanës dhe fara Kanabisi.

I dyshuari është tashmë në arrest me burg.

Ndërsa, në një tjetër rast në Pejë, bazuar mbi një operacion policor, policia e Kosovës bëri me dije se ka ndaluar në hyrje të qytetit të Pejës, përballë qendrës tregtare ETC, një autobus të tipit Setra me targa KS, pronë e një kompanie private.

Sipas policisë autobusi dyshohej se trafikonte substanca narkotike.

Gjatë kontrollit brenda autobusit që vinte nga Prishtina në Pejë, në një prej sendiljeve të pasagjerëve u gjet një sasi e substancës së dyshuar narkotike, e cila ishte në formë pluhuri me ngjyrë kafe në sasi prej rreth 1101 gramë.

Në bazë të hetimeve paraprake dyshohet se kjo substancë narkotike është heroinë. Në autobus në kohën e kontrollit gjendeshin 16 udhëtarë si dhe shoferi e ndihmësi i tij.

I dyshuari i mundshëm kishte arritur të zbresë nga autobusi më herët.

Autobusi u kontrolluar edhe nga Njësiti i qenve K9 si dhe për llogari të hetimeve u pyetën edhe dëshmitarët e mundshëm.

mit/NOA
KOMENTE