Fushë-Kosovë, 2 dhjetor, NOA - Nën himnin kombëtar, në shtëpinë e Kulturës në Fushë-Kosovë, u hap tubimi i dytë elektoral i Lëvizjes Vetëvendosje!.
Kandidatja Alma Lama gjatë fjalimit të saj ndër të tjera tha se “Kemi ardhur sot këtu që t’u tregojmë se ne e duam Kosovën sovrane, se e duam qytetarin në qendër të vëmendjes politike e institucionale, dhe se e duam Kosovën e përparimit e të zhvillimit. Kemi ardhur sot këtu që t’ju pyesim a e doni edhe ju një Kosovë të tillë?”.
Më pas, kandidatët për deputetë nga komuna e Fushë-Kosovës përshëndeten bashkëbanorët e tyre, duke u shprehur se Lëvizja është forca e vetme politike në Kosovë, e cila do ta çrrënjos korrupsionin, nepotizmin si dhe servilitetin ndaj ndërkombëtareve në vendin tonë.
I fundit që foli ishte Albin Kurti, fjalimi i të cilit fillimisht ishte mbi sovranitetin që i mungon Kosovës.
“Qëndrueshmërinë Pavarësisë ia jep sovraniteti. E Vetëvendosje! si prioritet ka vetëvendosjen e brendshme dhe të jashtme për Kosovën. Vetëvendosja e brendshme konsiston në kontrollin e resurseve dhe pasurive shoqërore e publike të Kosovës si dhe në institucione pa tutela të jashtme që si kemi votuar. Ndërsa vetëvendosja e jashtme do të thotë që Kosova duhet të ketë kufijtë e saj dhe të drejtën për t’u bashkuar me Shqipërinë”, tha ai.
Më tej, Kurti i ftoi edhe qytetarët nga Kosova lindore, që t’i bashkohen Lëvizjes Vetëvendosje!, e cila do të angazhohet që nëpërmjet realizimit të programit të saj, të krijojë kushte që edhe shqiptarët nga Kosova Lindore të kenë mundësi që në bazë të vullnetit të tyre që e kanë shprehur në referendum t’i bashkohen Kosovës”.
Albin Kurti foli edhe për pikat programore të Lëvizjes për zhvillim ekonomik. “Zhvillimin ekonomik ne e bazojmë në prodhim, i cili gjeneron punësim e rrjedhimisht edhe mirëqenie për qytetarët”, tha ai ndër të tjera.
n.e/NOA