Astana, (Kazakistan), 2 dhjetor, NOA – Australia dhe Shqipëria do të shtojnë nivelin e bashkëpunimit në fushën ekonomike. Për këtë qëllim, mes dy vendeve pritet të firmosen një sërë marrëveshjes që kanë të bëjë me shtimin e investimeve. Qëndrimi i dy shteteve është bërë i ditur sot gjatë takimit mes ministrit të Jashtëm, Edmond Haxhinasto dhe homologut të tij australian, Kevin Rudd.
Takimi u zhvillua në kuadër të punimeve të samitit të krerëve të Shtetit dhe Qeverive të OSBE-së, që po zhvillohet në Astana, Kazakistan.
Dy bashkëbiseduesit evidentuan nivelin shumë të mirë të marrëdhënieve mes dy vendeve dhe theksuan rëndësinë që potenciali i bashkëpunimit dypalësh të shfrytëzohet plotësisht, veçanërisht në fushën ekonomike, investimeve, minierave dhe turizmit.
Haxhinasto ka theksuar se është e nevojshme që të nënshkruhen marrëveshje dypalëshe në fusha me interes të ndërsjellë dhe krijimin e komisionit ekonomik të përbashkët.
Ministri Rudd ka konfirmuar se do të vizitojë Shqipërinë gjatë vitit të ardhshëm. Ministri australian ka vlerësuar dhe rolin konstruktiv të Shqipërisë në Ballkanin Perëndimor dhe ecurinë pozitive të procesit të integrimit Evropian të vendit.
a.k/NOA