English

Mesazh për ty, Kryeministri hije

A e di more Gramoz se Adil Çarçani ishte më i pavarur se ju. A ju kujtohet apo jo. Banalitetet i keni ju. Për Shkodrën dhe mbarë Shqipërinë do të përgjigjet kjo qeveri. Kjo qeveri do të qëndrojë prapa çdo qytetari kudo që të ndodhet, nga Vermoshi, në Konispol, nga Shkodra, në Myzeqe

Nga Sali Berisha

Në memorien e këtij parlamenti, në memorien e qytetarëve shqiptarë, në ndërgjegjen e tyre të thellë njerëzore, qytetare, do të mbeten të paharruara për jetë të jetëve, qëndrimi makabër i atyre që duartrokitën për shpirtrat e fëmijëve të vdekur.

Unë prisja këtu zoti Ruçi që ti kërkoje të falur vendit, ti kërkoje të falur nënës së viktimave, ti kërkoje të falur qytetarëve të Durrësit, tju kërkoje të falur qytetarëve shqiptarë, sepse shkelmuat mbi shpirtrat e katër fëmijëve të vdekur. Nuk u tërhoqët dot as para pafajësisë së fëmijëve.

Cilido që të ishte dufi, mllefi, urrejtja juaj, nuk mund të duartrokisnit kurrë, nuk mund të bënit kurrë atë që bëtë në këtë parlament. Ju përdhosët ndërgjegjen njerëzore me duartrokitjen tuaj, duke cituar emrat e 4 viktimave të pafajshme.

Zoti Ruci, duhet tu kërkoje të falur shqiptarëve, tu kërkoje të falur nënave shqiptare, tu kërkoje të falur fëmijëve shqiptarë, vogëlushëve të këtij vendi, se në një histeri të pashembullt politike, ju duartrokitët, duke cituar emrat e katër fëmijëve të djegur, në shtëpinë e tyre.

Nuk mund të ketë më askush besim tek ju, se ju keni preokupim njerëzor, nuk mund të besoj më kush, se ju keni interes tjetër përveç “e keqja e qytetarit, e mira e kryetarit tuaj”, përveç “fatkeqësia e shqiptarëve, lumturia e tij”.

Kjo është e vërtetë, me atë që treguat ju, me aktin tuaj makabër, të ngriheni dhe të kërkoni të falur, një nga një, për duartrokitjet që bëtë. Këtë të bëni ju sot këtu dhe pastaj para fëmijëve, para pafajësisë, përkulet gjithkush dhe çdokush. Përkuluni sot se keni përdhosur shpirtrat e tyre dhe keni fyer rëndë, keni lënduar në shkallën më të rëndë, ndërgjegjen qytetare, njerëzore të çdo shqiptari.

Ishit në një verbëri të paimagjinueshme, kur njëri nga ju, përfaqësues i atij i cili do të firmoste ekzekutimin e 27 intelektualëve shqiptarë, gjë që nuk do ta bënte Manol Konomi, do të jepte dorëheqjen dhe ky na riktheu stërgjyshin e tij këtu.

Po mirë ai që ishte i verbër dhe zbatoi mesazhin, por ju të tjerët që duartrokitët në një histeri kolektive dhe në vend që të ngriheshit në këmbë dhe të kërkonit një minutë heshtje për ta, u ngritët dhe shpërthyet ne gëzim dhe duartrokitje.

Çfarë keni me ju qytetarët e Shkodrës? Çfarë ju lidh ju me ta, kur ju nuk përkuleni dot para fëmijëve të vdekur, kur ju përdorni për kapital politik shpirtrat e tyre të vdekur. Do të doja të flisja këtu për Shkodrën, por vështirësohem shumë nga ju. Do ta bëja këtë, në qoftë se ju do të kërkonit të falur këtu.

Duhet të kërkoni të falur sepse ajo që bëtë ju, nuk e ka bërë askush, kurrë, në historinë e një parlamenti. Shpërthimi juaj në duartrokitje kur u cituan emrat e katër fëmijëve tregon se ju jeni me vite drite larg fëmijëve, jeni me vite drite larg njerëzimit, jeni me vite drite larg qytetarisë.

Unë prisja këtu që kryetari juaj, Kryeministri juaj në hije të kërkonte të falur, por u sollët këtu, si kukull e kryetarit tuaj. Edhe njëherë ju kërkoj këtu, që të kërkoni të falur. Se çfarë ka ndodhur në Shkodër për ju, i ftoj qytetarët ti referohen fytyrës së kryetarit tuaj në media. “Sytë pasqyrojnë shpirtin” thotë një shprehje latine.

Krahasoni qytetarë shqiptarë, daljen e tij para mediave, ditën e heqjes së vizave, sesi i gufonte gjoksi, se si i dihaste nga trishtimi dhe mjerimi, kurse sot i ngazëllenin sytë nga gëzimi, se në Shkodër ka përmbytje dhe se me këtë përmbytje mund të sulmonte kundërshtarin e tij politik.

Ky triumfator mbi fatkeqësitë njerëzore, ky triumfator mbi fatkeqësitë e fëmijëve, ky triumfator mbi fatkeqësitë natyrore, ju ka katandisur ju, në kukulla politike.

Ç’punë keni ju me Shkodrën, kur ju duartrokisni në kor për katër fëmijë të vdekur. Zonjë mos e tundni kokën ashtu se je nënë. Ti duhet të derdhësh lot për ta, jo të duartrokasësh. Ju jeni nëna dhe për këtë arsye duhet të derdhni lot dhe jo të duartrokisni.

Nuk keni punë me Shkodrën ju. Mbrëmë në media deputeti Gjok Uldedaj tha se po ndante situatën me bashkëqytetarët e tij, me zgjedhësit e tij dhe po raportonte në një media. U mahnita dhe nuk u besova veshëve, kur kronisti i tha mos na bëj politikë, por na thuaj për të mbyturit dhe të vdekurit.

A e konstatove Gjokë që donin ta mbyllnin gojën vetëm se po raportoje për mbështetjen që po jepej qytetarëve të Shkodrës. Ju nuk mund të kaloni dot më, me një skenar të tillë. Ne ju pamë në Gërdec ju, ju kemi parë në fatkeqësi të tjera, ju kemi parë në fatkeqësitë e katër fëmijëve. E kam të vështirë tu flas unë ju, në rast se nuk kërkoni falje për ato që keni bërë.

E bëj por ju duhet të kujtoni se nuk duhet kurrë të duartrokisni për katër fëmijë të vdekur, se mund të ngriheni një mijë herë në këmbë për të nderuar kujtimin e tyre dhe jo të duartrokisni dhe pse kjo. Vetëm e vetëm se kryetari juaj përjeton me kënaqësinë më të madhe, çdo lloj fatkeqësie natyrore, njerëzore, shoqërore, politike, me të cilën ai mund të sulmojë kundërshtarin e tij politik.

Por kryetari juaj të harrojë se kjo është rruga e pushtetit. Kjo është rruga e greminës për të. E keqja e madhe se ai ju ka bërë ju kukullat më të mjera politike. A e dini ju se ka patur më dinjitet Adil Çarçani se sa keni ju, kur uleni këtu.

A e di more Gramoz se Adil Çarçani ishte më i pavarur se ju. A ju kujtohet apo jo. Banalitetet i keni ju. Për Shkodrën dhe mbarë Shqipërinë do të përgjigjet kjo qeveri. Kjo qeveri do të qëndrojë prapa çdo qytetari kudo që të ndodhet, nga Vermoshi, në Konispol, nga Shkodra, në Myzeqe.

Kjo qeveri është e tëra në këmbë për të ndihmuar qytetarët. Nuk ka të zhdukur. Ti që shpall të zhdukur me mijëra vetë, ti ndjek me ata korbat që ushqehen vetëm me kufoma. Nuk ka asnjë të zhdukur. Nuk asnjë të vdekur deri tani. Mësoje këtë meqë u thua shqiptarëve se janë me qindra të zhdukur. Ka me qindra dhe mijëra punonjës të ushtrisë dhe policisë, të komunave që po përballen çdo minutë, çdo orë, me përmbytjen për të shpëtuar jetë.

Nuk ka të zhdukur asnjë. Të zhdukur jeni ju që imagjinoni makabritete me jetët e njerëzve. Të zhdukur jeni ju që duartrokisni me fëmijë të vdekur. Të zhdukur jeni ju që hidhni valle me fatkeqësinë e Shkodrës. Të zhdukur jeni ju që gëzoheni me përmbytjet dhe fatkeqësitë natyrore. Ju zhdukeni, nuk zhduket Shkodra, nuk zhduken qytetarët e saj. E filluat këtu, e mbyllët me duartrokitje dhe na e filluat me njerëz të zhdukur. Ku janë të zhdukurit.

Qytetarët kanë emra. Është një qeveri e tërë, është një ushtri e tërë, janë të gjitha forcat e policisë, të gjithë qeveritarët vendorë, demokratë dhe socialistë që po përballen me përmbytjen më të shpejtë që ka njohur rajoni ndonjëherë. Qeshni - qeshni ju sepse Shkodra që urreni kaq shumë po përmbytet.

***

Dy javët e fundit ka pasur një shtim shumë të madh të ujërave, fillimisht, të liqenit dhe ka pasur një ngritje progresive të shpejtë të ujërave të liqenit si rezultat i burimeve të tij të brendshme dhe lumenjve.

Zotëri, këta të bëjnë ç’të duan. Unë nuk kam për të folur ndonjëherë për ta nëse nuk kërkojnë të falur për katër fëmijët. Sa herë që të kërkoni Kryeministrin përgatituni për kërkesën time, sot e përgjithmonë, të kërkoni të falur për duartrokitjet që bëtë për shpirtrat e të vdekurve.

Këtyre përmbytjeve iu shtuan vërshimet e tërbuara të lumenjve të alpeve shqiptare dhe atyre në Malin e Zi, vërshime që arritën në mijëra metër kub për sekondë, vërshime që në rast se nuk do të gjenin kaskadë në anën shqiptare, në kushtet më optimale për përballimin e tyre, do të mund të krijonin atë që kërkoi kryeministri në hije, zhdukjen e mijëra banesave të qytetarëve. Por ajo nuk ndodhi. Valbona, lumi Curraj, lumi i Shalës, Përroi i Thatë, vërshuan si asnjë herë tjetër.

Natyrisht, amortizimi i tyre në kaskadë ishte momenti vendimtar që parandaloi një dramë ndër më të mëdhatë që mund të pllakoste.

Ministria e Ekonomisë, Drejtoria e Përgjithshme e KESH-it kishte marrë të gjitha masat që kaskada të ndodhej në nivelet më minimale. Pse nuk i përmendni nivelet tani, ju që vërtiteni nga një ekran në tjetrin duke kërkuar viktima? Nuk ju kemi dëgjuar të thoni ndonjë fjalë për nivelet. Jo, sepse nuk ju intereson. Ju intereson të shpallni me mijëra të zhdukur. Nuk ka asnjë të zhdukur, por ka mijëra të shpëtuar dhe po bëhet çdo gjë që të mos ketë asnjë jetë të humbur.

Pra vala e parë u amortizua nga digat, nga Komani, nga Vau i Dejës, nga Fierza. Vetëm mbrëmë në orën dy të mëngjesit në liqenin e Fierzës, të Komanit dhe Vaut të Dejës janë derdhur 4500 m3/s. Autoritetet vendore të Shkodrës, qytetarët e Shkodrës, autoritetet vendore të komunave kanë bërë një punë të shkëlqyer.

Deputetët e Shkodrës, jo të kryetarit, por deputetët e qytetarëve të saj, kanë qenë atje ditë e natë. Ata kanë organizuar me shpejtësi të rrufeshme evakuimin, kanë krijuar me shpejtësi të madhe kapacitete me mijëra shtretër për të strehuar ata që zotëria i quan të zhdukur.

A e patë se me çfarë përgjegjësie kryeministri në hije u tha shqiptarëve se janë më mijëra të zhdukur? Se kështu i do zemra atij. Pra u bë në trup i vetëm, ditë e natë.

Ju, zotëri, gënjeni, sepse po ndërhyhej në disa argjinatura. Ato ndërhyrje kanë filluar me kohë, nga Viluni, në Kir, në Spatharë, etj. Ju nuk keni sy që ti shihni, sepse nuk doni ti shihni. Për ju ka rëndësi të sulmoni Sali Berishën dhe nuk ka rëndësi se çfarë bëhet tjetër. Shqipëria reale për ju janë sulmet kundër Sali Berishës.

E tërë bota juaj është bota e një njeriu të përqendruar me një patologjizëm ekstrem për të ardhur në pushtet mbi fatkeqësi, mbi tragjedi, mbi vdekje, mbi zhdukje. Si mund të jetë kështu? Ju mund t’i kërkoni kryeministrit dhe duhet t’i kërkoni atij llogari për çdo gjë, por jo duke u thënë shqiptarëve se janë me mijëra të zhdukur. Cilët janë zhdukur? Na thoni një emër të një të zhdukuri?

Ku janë të zhdukurit? Ai i thoshte mbrëmë në emision deputetit Gjok Uldedaj që mos na fol për politikë, por na fol për të zhdukur, se na duhen të zhdukur, mundësisht foshnja, të sapolindur. Madje e zbuluan një rast.

Një forcë politike e madhe nuk mund të katandiset në këtë mënyrë për psiqizmin e një njeriu. Ju nuk mund të shprehni dramën personale të një njeriu në dramën e alternativës tuaj. Ai nuk mundet kurrsesi që të jashtëzojë turbullirën e tij psikike, rrënimin e tij shpirtëror, mbi ju dhe tu thotë që dilni e thoni se ka mijëra të zhdukur.

Zotërinj nuk ka asnjë të zhdukur, por ka mijëra të shpëtuar dhe mijëra shtretër bosh që presin për evakuimin.

Në çdo komunë është bërë një organizim i shkëlqyer. Kryetari i komunës, një oficer madhor i policisë, një oficer madhor i ushtrisë dhe një ministër janë në krye të detyrës nga mëngjesi deri në darkë, drejtojnë dhe menaxhojnë çdo operacion shpëtimi, drejtojnë dhe menaxhojnë çdo operacion evakuimi, drejtojnë dhe menaxhojnë operacion sistemimi, drejtojnë dhe menaxhojnë çdo ndihmë mjekësore, drejtojnë dhe menaxhojnë çdo ndihmë ushqimore. Situata është e tëra nën kontroll.

Natyrisht, ujërat janë ujëra. Në vende të tjera, më të fuqishme se Shqipëria, pikërisht në këtë periudhë, këto ditë, ka pasur me dhjetëra viktima. Ne nuk kemi pasur asnjë viktimë, sepse kemi bërë ndërhyrjet më energjike. Ne nuk kemi ndenjur ekraneve për të hedhur valle mbi shpirtrat e fëmijëve të vdekur, nuk kemi shpikur foshnje të vdekura, por kemi preferuar të ndajmë përpjekjet e ndershme, serioze, me qytetarët e zonave të përmbytura për të qenë aty dhe ne jemi aty.

Qeveria, i nderuar kryeministër në hije, është e tëra në Shkodër, ka bërë atje mbledhjen e kabinetit, ka shpërndarë anëtarët e qeverisë në komuna, ka përcaktuar fondet e ndërhyrjes, ka bërë gati amendamentet e buxhetit dhe paraqiten sonte këtu. Janë që të gjitha këto. Ndaj dhe ju mos flisni, por kërkoni falje për atë që bëtë. Pastaj bëheni të besueshëm ju. Ju mos mendoni se kapërceni mbi ndërgjegjen time.

Atë që keni bërë ju herën e fundit, unë nuk e kapërdij dot gjatë gjithë jetës. Në romanin e Viktor Hygoit përshkruhet një betejë e madhe midis monarkisë dhe republikaneve. Personazhi i Hygoit kishte lyer duart me gjak, kishte bërë masakrat më të mëdha mbi republikanët, por tre foshnje po digjeshin në bibliotekën e kështjellës që kishte mbrojtur. Ai ishte larguar me tunel, por u kujtua se fëmijët kishin mbetur në zjarr.

La lirinë, la çdo gjë dhe shkoi të shpëtonte foshnjat që po digjeshin. Ndërsa ju duartrokitët për foshnjat që vdiqën. Kjo është gjëja më e rëndë që keni bërë në jetën tuaj. Pothuajse është pothuajse infantitil moral, jo fizik. Ndaj dhe kërkoni falje. Këtu kaq ka.

*Nga fjala e mbajtur në seancën e sotme parlamentare

KOMENTE