Shkodër, 2 Dhjetor 2010 NOA - Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, z. Ilir Meta mori pjesë sot në mbledhjen e Shtabit të Emergjencave në Shkodër, që është ngritur pas përmbytjeve të shkaktuara gjatë ditëve të fundit në këtë zonë.
Meta është njohur nga afër me situatën dhe ka deklaruar se nga ana e Ministrisë së Ekonomisë dhe institucioneve në varësi të saj janë marrë të gjitha masat për të minimizuar problemin që do të sillnin reshjet e mëdha të shirave.
Z. Meta ka theksuar se institucionet përgjegjësie prej 1 muaji janë bërë përpjekje për të ulur nivelin e ujit që është grumbulluar në kaskadën e lumit Drin.
Ministri tha se shkarkimet kanë qenë të detyrueshme për shkak të prurjeve të mëdha. Për sa kohë ka prurje të mëdha jemi të detyruar të hapim portat. Shkodra është përmbytur nga prurjet e liqenit dhe lumit Bunë.
Më tej Meta tha se në kaskadën e Drinit në 2-3 muajt e fundit, kemi bërë kujdes me shkarkimet për të mos sjellë përmbytje. Prej 1 muaji kemi patur përpjekje për të ulur nivelin e ujit të grumbulluar në kaskadën e Drinit, por problematika kryesore u krijua nga prurjet në HEC-in e Komanit dhe Vaut të Dejës.
Kurse evidentoi situatën aktuale: Prurjet si pasojë e reshjeve të shiut kanë qenë të mëdha, edhe prurjet nga Valbona kanë qenë të larta prandaj jemi detyruar të bëjmë shkarkime të vazhdueshme.
Duke përmendur faktin se kur u rrit niveli i Fierzës KESH u detyrua të shkarkojë për të siguruar digën, Meta siguroi se niveli i shkarkimeve do të bëhet në përputhje me prurjet, 3 mijë m3/sek në 3 HEC-e.
e.r/NOA