English

Policia e Kosovës vlerësohet nga zyrtari austriak për sigurinë

Prishtinë, 2 dhjetor, NOA – Një delegacion austriak ka vizituar sot në Prishtinë policinë e Kosovës, ku është njohur me organizatën policore, gjendjen e përgjithshme të sigurisë në Kosovë, si dhe avancimin e mëtejshëm të bashkëpunimit dhe koordinimit në luftën kundër krimit të organizuar.

Gjatë takimit me drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Reshat Maliqi, drejtori i përgjithshëm policor për siguri publike të Austrisë, Konrad Kogler në diskutimin e tij vlerësoi punën dhe angazhimin e Policisë së Kosovës në krijimin e gjendjes së sigurisë në Kosovë, e në veçanti shprehu gatishmërinë për bashkëpunim policor si dhe mundësinë për trajnime të zyrtarëve policorë në fusha të ndryshme policisë, si në luftën kundër krimit të organizuar dhe krimit transkufitar.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Reshat Maliqi, e informoi zotin Kogler mbi strukturën e policisë së Kosovës, bashkëpunimin e koordinimin ndërpolicor, për arritjet në luftën ndaj krimit, e posaçërisht krimit të organizuar, por edhe për reformat e bëra në polici dhe metodologjinë e re të punës.

Drejtori i përgjithshëm i PK-së falënderoi drejtorin e policisë për siguri publike të Austrisë, për bashkëpunimin e dëshmuar me policinë e Kosovës, një falenderim që shkoi edhe për punën e zyrtarëve policorë të Austrisë, në misionet ndërkombëtare në Kosovë, duke premtuar edhe vazhdimin e bashkëpunimit të mëtejshëm.

mit/NOA
KOMENTE