English

Rama: Përmbytjet në Shkodër klithin-Berisha të japë dorëheqjen

Tiranë, 2 dhjetor, NOA - Kush mund ta besojë më sot në Shqipëri, se këto përmbytje janë fati ynë dhe duhet të jetojmë me këtë fat, sepse ja qeveria bëka më të mirën e mundshme, por prapë ndëshkimi i Zotit a i natyrës qenka i destinuar të vazhdojë ta përmbysë Shqipërinë e ta përmbytë Shkodrën? Kush i ha këto?

Kush është ai shqiptar, që mund të mbyllë sytë në darkë e të shpresojë, që e nesërmja sjell më pak shi e më pak dëm? Apo kush është ai shqiptar, që mund ta besojë, atë, që thotë spikerja e Kuvendit, se ajo zonë qenka hinka ku u mblidhka gjithë uji i Ballkanit? Këto janë turpe, që i bën vetëm një qeveri, që turpin e ka ngrënë bashkë me votën e popullit, të cilën e ka mbyllur në kuti.

Sali Berisha e ka përmbytur Shkodrën për të pestën herë me paaftësinë totale dhe akoma më keq me papërgjegjshmërinë absolute dhe është fajtori për këtë ç’ka u ndodh sot shkodranëve dhe shqiptarëve.

Nga Edi Rama

Në kushtet e jashtëzakonshme të një drame të përsëritur në të njëjtën skenë që është gjithë zona e Shkodrës dhe në kushtet kur fajtori për këtë dramë të përsëritur, që fatkeqësisht është edhe kryeministri i këtij vendi falë votave të vjedhura, këmbëngul në politikën e tij të mbrapshtë të përbaltjes së opozitës dhe njëkohësisht të gënjeshtrës në raport me të vërtetën, kemi këtë komunikim ku dëshiroj të theksoj një sërë gjërash.

Së pari, le të kthehemi pak në kohë kur veriu i Shqipërisë u përmbyt si kurrë më parë dhe Saliu fajësoi natyrën, fajësoi shirat, fajësoi hënën blu, fajësoi kë mundi edhe Zotin vetë, por nuk mori mbi vete përgjegjësinë, që i takonte atij dhe qeverisë së tij për mijëra hektarë tokë të përmbytura, për mijëra shtëpi të dëmtuara dhe për humbjen e prodhimeve bujqësore e blegtorale të mijëra e mijëra familjeve që jetojnë në atë zonë.

Më pas erdhën përmbytje pas përmbytjesh dhe doli se jo një herë në 100 vjet, po edhe pesë herë në vit mund të ndodhë ajo, që në fakt nuk ka ndodhur kurrë më parë. Për të ardhur tek kjo përmbytje, e pesta herë brenda vitit, me përmasa katastrofike dhe sigurisht për të njëjtat arsye dhe me të njëjtin fajtor, Sali Berisha.

Është faji Sali Berishës dhe është konkretisht faji i Sali Berishës dhe i qeverisë së tij të votave të vjedhura dhe të kutive të mbyllura e për këtë mjaft t’i referohemi disa fakteve. Kur ndodhi përmbytja e parë Saliu premtoi se kjo gjë, që ndodh një herë në 100 vjet do të ndodhë vetëm pas 100 vjetësh të tjera, sepse siç tha ai, do të ndërhyhet menjëherë në shtratin e lumit Buna dhe kjo ndërhyrje do ta zgjidhë situatën.

Referojuni arkivit 8 janar 2010. Sepse siç tha ai do të ndërtohet by passi i Shkodrës me qëllim rehabilitimin e zonës së përmbytur dhe moslejimin e ndërtimeve në zona të rrezikuara.

Referojuni arkivit 13 janar 2010. Sepse siç tha ai, studimi i argjinaturave të Bunës dhe thellimi e sistemimi i lumit përmes një projekti që është më i miri i implementuar ndonjëherë në Shqipëri, do ta zgjidhë këtë problem njëherë e mirë, 13 janar 2010.

Këto janë premtimet dhe si njeri i premtimeve të thëna, të rithëna, të stërthëna, po të asnjëherëmbajtura, Sali Berisha nuk mbajti asnjë prej këtyre premtimeve dhe i la ata njerëz për katër herë të tjera, jo në mëshirën e Zotit, jo në mëshirën e lumenjve që kryetarja e parlamentit i konsideroi të çmendur, por në mëshirën e keqqeverisjes, e mungesës totale, jo të një vizioni, se kjo është gjë e madhe për t’ia kërkuar Saliut, as të një programi, se edhe kjo është gjë e madhe për t’ia kërkuar Saliut, por të mungesës së përgjegjshmërisë minimale për një njeri, i cili merr lekët e shqiptarëve për të punuar për ta dhe drejton një shtet të tërë edhe pse me vota të vjedhura por në funksion të zgjidhjes së problemeve të shqiptarëve.

E pra problemi i përmbytjes është një problem, që është i qartë, me shkaqe, që janë të qarta dhe që trajtohet dhe zgjidhet përmes rrugësh, që janë po aq të qarta, sepse të thuash në vitin 2010, në mes të Europës, në një vend, që gjithsesi nuk është krijuar dje, në një vend, që gjithsesi e ka një eksperiencë të gjallë nga e shkuara, se sa herë shiu të jetë i furishëm, aq herë do të zhyteni të tërë në ujë do të thotë të tallesh në mënyrën më cinike me ata që qeveris dhe kjo tallje nuk është asgjë tjetër përveçse vetëdija se votat e tyre, të këtyre shqiptarëve kudoqofshin, i merr edhe po s’ti dhanë ngaqë i vjedh.

Po vodhe votën, po e garantove pushtetin pavarësisht vlerësimit dhe gjykimit të popullit, sigurisht që pyet gjithmonë e më pak për hallet e njerëzve, do t’ja dish gjithmonë e më pak për problemet që mbarten dhe madje as nuk të kujtohen fare njerëzit dhe problemet e tyre sapo kthen kokën.

Ku është ndërhyrja në argjinaturën, në shtratin dhe në derdhjen e lumit Bun. Ka kaluar një vit, asnjë ndërhyrje dhe sigurisht që në mungesë të plotë të kësaj ndërhyrje të domosdoshme si shkak i gjithë degradimit skandaloz, që i është bërë të gjithë sistemeve të rrjedhjes dhe të kullimit të ujërave në Shqipëri përmes gjithfarë barbarizmash, Buna patjetër do të shkaktojë dëmet që shkakton, sepse është lënë tërësisht e lirë dhe askush nuk merret me të, ashtu sikundër askush nuk merret me këtë problem të madh që e ka e gjithë Shqipëria sapo pushon shiu.

Ku është financimi i këtij projekti, ku është financimi për këtë studim, që sikundër tha Saliu vetë, na qenka më i miri i implementuar ndonjëherë në Shqipëri.

Po projekti, studimi, financimi për bypassin e Shkodrës, lëre më by passi vetë, ku janë. Ku janë masat konkrete të marra nga qeveria, jo në letër, jo me fjalë, jo me rrena, por me fakte konkrete, për ta ndalur që për të pestën herë të ndodhë ajo që sipas Saliut ndodh një herë në 100 vjet dhe të ndodhë brenda 1 viti.

Faktikisht koha për t’i mbajtur këto premtime ka qenë më se e mjaftueshme dhe faktikisht përmbytja është akuza më kuptimplotë për faktin se asnjë nga këto premtime nuk është mbajtur dhe se kjo që ndodh nuk ndodh për shkak të Zotit, nuk ndodh për shkak të harbimit dhe çmendimit të lumenjve siç thotë Jozefina, nuk ndodh për asnjë shkak që është jashtë listës së gjatë të shkaqeve që prodhon keqqeverisja.

Shkodra përmbytet e ripërmbytet e stërpërmbytet e do të vazhdojë të përmbytet sepse Shkodra si e gjithë Shqipëria nuk qeveriset. Sepse në këtë vend nuk ka një qeveri të shqiptarëve, ka vetëm një çetë të kusarëve, të atyre që vodhën votat për të vazhduar të vjedhin Shqipërinë.

Të atyre që rrinë mbi kutitë e mbyllura se i druhen si djalli temjanit të vërtetës që fshihet në ato kuti. Të vërtetës së thjeshtë se ata nuk duhet të qeverisin por që duke qëndruar mbi kutinë e mbyllur garantojnë vazhdimin e qëndrimit të tyre në një pushtet që nuk u shërben qytetarëve, që nuk mendon për qytetarët, që nuk punon për qytetarët.

12 muaj në harkun, e të cilëve përmbytja është kthyer në normë. Në harkun e të cilëve të gjithë njerëzit e asaj zone kanë hyrë e dal në ujë 5 herë. Në harkun e të cilëve gjërat që janë thënë e rithënë jo vetëm nuk janë bërë por as nuk janë vënë në rrugën e zgjidhjes. Saliu është njeriu i premtimeve të thëna jo i premtimeve të mbajtura.

Sa herë gjendet përballë një premtimi të pambajtur thotë një premtim të ri. Sa herë thotë një premtim të ri i jep kohë vetes për të vazhduar të qëndrojë në pushtetin e vjedhur mbi kutitë e mbyllura e për të bërë yzmetin e punëve të oborrit të tij. Jo të oborrit të familjes shqiptare, të cilës paturpësisht i flet për dekorin e Tiranës duke hedhur baltë mbi vetë flamurin kombëtarë, që e përgojon si të ishte një leckë pavlerë, ndërkohë që duhet të jap përgjigje për përmbytjen që e shkakton keqqeverisja e tij.

Ndërkohë që duhet të japë përgjigje për të gjitha dëmet e kësaj përmbytje që e shkakton keqqeverisja e tij.

Ndërkohë që duhet t’jua thotë jo vetëm shkodranëve po të gjithë shqiptarëve se pse duhet të abuzohet vijimësisht me qeverinë e me paratë e taksapaguesve shqiptarë për të arnuar situata të cilat duhen zgjidhur me themel dhe pse nuk ka asnjë zgjidhje me themel të punëve të këtij vendi.

Sepse nga njëra anë s’ka vizion, s’ka program, s’ka filozofi qeverisëse në funksion të qytetarëve dhe nga ana tjetër nuk ka para. Të gjitha ato përralla që ju tregohen shqiptarëve për buxhetin më të madh në shoqëri e për vepra historike që do të bëhen me këtë buxhet janë një mbulesë e dështimit.

Fol fol, shpif shpif, gënje gënje, premto premto, që të krijosh një situatë në të cilën shqiptarët të shohin përmes ekraneve një Shqipëri të ndryshe nga ajo që kanë jashtë ekranit.

Së fundi, dëshiroj ta ritheksoj që Saliu duhet të largohet. Që e vetmja rrugë për t’i trajtuar këto probleme ashtu siç janë, të rënda, të ndërlikuara, të akumuluara në vite e vite është rruga që hapet me largimin e Saliut dhe të pushtetit të tij të votave të vjedhura.

E vetmja mënyrë për t’i shëruar këto sëmundje, që po rëndohen përditë në trupin e Shqipërisë dhe po e rëndojnë përditë situatën ekonomike dhe sociale të shqiptarëve është e vërteta.

E vërteta sado e hidhur qoftë dhe ballafaqimi me këtë të vërtetë përmes një qeverisjeje e cila duhet të shohë në sy qytetarin, duhet të trajtojë brenda kufirit të mundësive problemin që qytetari ka dhe të bëjë ta pamundurën që ta shtyjë këtë kufi sa më larg në mënyrë që sa më shumë probleme të trajtohen dhe të zgjidhen.

Nuk mundet dot të zgjidhen problemet e përmbytjeve, nuk mundet dot të zgjidhen problemet e panumërta që ka i gjithë territori i vendit, nuk mundet dot që të zgjidhen problemet e pamundura që kanë familjet shqiptare duke u marrë ditë natë me luftën kundër opozitës. Duke hedhur ditë natë baltë mbi opozitën. Duke u thënë njerëzve se opozita është i vetmi problem i madh që kemi dhe se është i vetmi armik që i ka mbetur këtij pushteti.

Në fakt e vërtetë është kjo, që opozita është kundërshtar i vetëm i madh dhe i pathyeshëm që ky pushtet ka por kjo nuk është një arsye për ti lënë të gjitha punët e për tu marrë me opozitën. Sigurisht, që kjo ndodh sepse ky nuk është një pushtet i popullit, është një pushtet i votës së vjedhur.

Ky nuk është një pushtet i cili varet, si çdo pushtet tjetër në demokraci, nga populli , nga kushtetuta, nga ligji që mishëron vullnetin e popullit. Ky varet nga kutitë e mbyllura ku qëndrojnë votat e vjedhura.

Kush mund ta besojë më sot në Shqipëri se këto përmbytje janë fati ynë dhe duhet të jetojnë me këtë fat sepse ja qeveria bëka më të mirën e mundshme, por prapë ndëshkimi i Zotit a i natyrës qenka i destinuar të vazhdojë ta përmbysë Shqipërinë e ta përmbytë Shkodrën”. Kush i ha këto?

Kush mund t’i besojë këto? Kush është ai shqiptar, që mund të mbyllë sytë në darkë e të shpresojë, që e nesërmja sjell më pak shi e më pak dëm?

Apo kush është ai shqiptar, që mund ta besojë atë që thotë spikerja e Kuvendit se ajo zonë qënka hinka ku u mblidhka gjithë uji i Ballkanit?

Këto janë turpe që i bën vetëm një qeveri që turpin e ka ngrënë bashkë me votën e popullit të cilën e ka mbyllur në kuti. Nuk ka më turp për ç’ka bën e ç’ka thotë sepse ndjehet jashtë rrezes së gjykimit të njerëzve. Ndjehet jashtë kufijve që përcaktojnë marrëdhëniet mes një qeverie e popullit të vetë në demokraci.

Sali Berisha e ka përmbytur Shkodrën për të pestën herë, me paaftësinë totale dhe akoma më keq me papërgjegjshmërinë absolute, dhe është fajtori për këtë ç’ka u ndodh sot shkodranëve dhe shqiptarëve.

Së bashku sigurisht me gjithë oborrin e ministrave, shërbëtorëve dhe klientëve të pushtetit të tij. Një pushtet i dalë nga votat e vjedhura që vazhdon të qëndroj mbi kutitë e mbyllura për të vjedhur Shqipërinë e për ta katandisur çdo ditë e më keq këtë vend, i cili po humbet përditë teren duke u bërë përditë e më shumë viktimë e keqqeverisjes dhe e barbarisë që prodhon një situatë kur populli nuk qeveriset.

Në kushtet kur i është rënë aq shumë në qaf dhe i është hyrë aq shumë në hak natyrës saqë jemi në situatën që degradimi i plotë mjedisor, degradimi i plotë i argjinaturave, i gjithë rrjeteve i gjithë sistemeve që e garantojnë mbrojtjen nga çdo fenomen natyror ka sjellë që të jemi tërësisht të pambrojtur edhe ndaj shiut të radhës.

*Deklarata e sotme e kryetarit të PS-së, në bashkëbisedimin me gazetarët
KOMENTE