Tiranë, 2 dhjetor, NOA – Që në hyrje të seancës së sotme plenare të kuvendit, kryetari i Grupit Kuvendor të PS-së, Gramoz Ruçi i kërkoi kryeparlamentares Topalli, që në rend të ditës të jetë vetëm situata e rënduar e përmbytjeve në Shkodër.
“Ne vijmë në këtë seancë pas shtyrjes disa herë, për arsye madhore, por për ne është e paranueshme që Ju ta nisni me këtë pyetje për procesverbalin, kur nuk dihet fati i mijëra banorëve të përmbytur, ku mijëra ha tokë janë përmbytur në zonën e Shkodrës”, tha Ruçi.
Ai theksoi se parlamenti sonte duhet të ketë vetëm një problem në rend dite, përmbytjet në Shkodër.
Kreu i Grupit të PS-së, kërkoi që kryeministri Berisha të raportojë në parlament për situatën, si dhe të japë llogari se pse ndodhën prapë përmbytjet dhe ku kanë vajtur paratë e buxhetit të shtetit të lëshuara për sistemimin e këtyre zonave, që të mos përsëritej më situata e fillimvitit, kur qarku i Shkodrës u përmbyt.
“Ky është propozimi që kemi ne si grup dhe kryeministri të vijë këtu e të raportojë”, tha zoti Ruçi.
Por i menjëhershëm ishte reagimi i kryeparlamentares, Jozefina Topalli e cila siguroi se përmbytjet që kanë përfshirë tërë vendin janë pika e parë e rendit të ditës në seancën e sotme plenare.
it/NOA