“Shqipëria mbështet dialogun e drejtpërdrejtë Kosovë-Serbi, si dy shtete të pavarura dhe sovrane për çështje teknike me interes të përbashkët, një dialog që duhet të udhëhiqet nga parimet e Dekalogut të Aktit Final të Helsinkit, veçanërisht të respektimit të integritetit territorial e sovranitetit dhe fqinjësisë së mirë”.
*Bamir Topi
Më lejoni t’ju shpreh falënderimet e mia për mikpritjen e ngrohtë në kryeqytetin tuaj të bukur, dhe urimet më të mira për organizimin e këtij Samiti të OSBE-së, sipërmarrje shumë e rëndësishme kjo edhe për faktin e mbajtjes së tij pas një mungese të gjatë prej 11 vitesh.
Dëshiroj gjithashtu, t’ju përgëzoj për kryesimin e suksesshëm të organizatës në interes të OSBE-së, për të gjithë punën e palodhur, angazhimin e vazhdueshëm dhe diplomacinë e matur në gjetjen e konsensusit për zhvillimin e këtij Samiti!
Kjo veprimtari mbart domethënien e mirëbesimit të rritur në hapësirën transatlantike dhe potencialin e madh për të rigjallëruar rolin e OSBE-së, duke përcaktuar prioritete dhe angazhime të qarta, me synimin e rritjes së sigurisë tonë të përbashkët.
Individët të cilëve u mohohet vota e lirë, ata që vuajnë barrën e konflikteve të ngrira dhe trafikun e qenieve njerëzore, grupet e pambrojtura që përballen me intolerancën apo diskriminimin, etnik a fetar, qytetarëve që u mohohen të drejtat e njeriut dhe liritë themelore, në kundërshtim me angazhimet OSBE-së, shohin nga kjo Organizatë, me shpresë dhe pritshmëri të lartë. Ky Samit dhe OSBE-ja nuk mund të qëndrojnë indiferentë kundrejt këtyre sfidave të sigurisë.
Intensifikimi i proceseve të globalizimit është shoqëruar me sfida të reja për hapësirën e OSBE-së. Krimi ndërkufitar dhe ndërkombëtar, krimi kibernetik, terrorizmi, mungesa e sigurisë energjetike dhe situata kritike në Afganistan mbartin rreziqe që kërcënojnë sigurinë dhe prosperitetin e përbashkët të vendeve tona. Trajtimi i kujdesshëm i këtyre kërcënimeve dhe në bashkërendim me Organizata të tjera përbën një sfidë aktuale të OSBE-së së shekullit XXI.
Ndaj dhe është me rëndësi thelbësore që Dokumenti i Astanës të përçojë një vizion të qartë të orientimit të veprimtarisë së OSBE-së në të ardhmen, dhe të shpjegojë rolin e saj në terren e në nivel strategjik, në kuadër të arkitekturës së sigurisë në Evropë.
Shqipëria mbështet vazhdimin e dialogut për Sigurinë Evropiane – Procesin e Korfuzit -, si një instrument i vlefshëm për rritjen e mirëbesimit në hapësirën e OSBE-së, e cila duhet t’i shërbejë promovimit të sigurisë, të drejtave të njeriut dhe institucioneve demokratike.
Në vizionin tonë, rigjallërimi i OSBE-së dhe rritja e efektivitetit të saj duhet bërë duke ruajtur tiparet themelore të Organizatës: rregullin e konsensusit, fleksibilitetin, qasjen bashkëpunuese në zbatimin e angazhimeve nga shtetet pjesëmarrëse dhe mandatin gjithëpërfshirës.
Falë zhvillimeve të viteve të fundit, Ballkani Perëndimor po përjeton një periudhë paqeje, stabiliteti e progresi të gjithanshëm. Zvetënimi gradual i barrierave kufitare, ka sjellë si rrjedhojë lëvizjen e lirë të qytetarëve të vendeve tona, dhe rritjen e shkëmbimeve, tregtare e kulturore. Synimi i përbashkët i integrimit evropian ka shërbyer si mekanizëm stimulues për realizimin e shumë reformave të brendshme, në forcimin e institucioneve demokratike dhe shtetit ligjor, dhe reformave në politikën e jashtme të vendeve tona, drejt konsolidimit të sigurisë dhe një stabiliteti afatgjatë, në rajon e më gjerë.
Pavarësia e Kosovës, e deklaruar në pajtueshmëri të plotë me të drejtën ndërkombëtare, ka dhënë një kontribut të vyer në stabilizimin e rajonit tonë. Ky shtet i ri përbën tashmë një realitet që ka marrë drejtimin e duhur e po konsolidohet dita-ditës kah të ardhmes evropiane dhe euro-atlantike. Klima paqësore e ndikimi pozitiv në marrëdhëniet ndëretnike që ka krijuar pavarësia e saj, duke përçuar impakt të drejtpërdrejtë në paqen e stabilitetin e rajonit tonë, përbëjnë një fakt konkret dhe real.
Shqipëria mbështet dialogun e drejtpërdrejtë Kosovë-Serbi, si dy shtete të pavarura dhe sovrane për çështje teknike me interes të përbashkët, një dialog që duhet të udhëhiqet nga parimet e Dekalogut të Aktit Final të Helsinkit, veçanërisht të respektimit të integritetit territorial e sovranitetit dhe fqinjësisë së mirë.
Dëshiroj të konstatoj më kënaqësi se, në gjithë këto procese të stabilizimit të Ballkanit Perëndimor, OSBE-ja, nëpërmjet Misioneve në terren, ka luajtur një rol historik të pamohueshëm. Këto misione kanë shërbyer si instrumente në menaxhimin e situatave të krizës dhe forcimin e dialogut midis palëve. Prania e gjerë e OSBE-së në Ballkanin Perëndimor, aktualisht me 7 misione në terren, duhet konsideruar si një aset në rrugën e rajonit drejt konsolidimit të sigurisë dhe stabilitetit afatgjatë të tij.
Ne besojmë se Organizata ka potencialin, ekspertizën dhe burimet për të siguruar një kontribut të veçantë në mbështetje të përpjekjeve kombëtare në disa fusha prioritare, në veçanti: në fushën e luftës kundër korrupsionit, trafikimit njerëzor, forcimit të shoqërisë civile, në asistimin e reformës gjyqësore, dhe mbi të gjitha në përmirësimin e marrëdhënieve ndër-etnike.
Shqipëria ka fituar një status dhe rol të ri në marrëdhëniet ndërkombëtare, rrjedhojë e partneritetit në rritje me të gjithë strukturat e sigurisë rajonale dhe globale, veçanërisht pas anëtarësimit në NATO në prill të vitit 2009. Shqipëria është sot një vend strategjik për sigurinë, paqen dhe prosperitetin e Ballkanit, Mesdheut dhe Evropës dhe do të vazhdojë të luajë rolin e saj bashkëpunues, integrues dhe moderues, si një faktor me peshë rajonale për rritjen e sigurisë, për të garantuar stabilitet politik dhe ekonomik rajonal. Faktori shqiptar në të gjitha vendet e rajonit është faktor stabiliteti, bashkëpunimi dhe kohezioni të brendshëm.
Politika e jashtme e Shqipërisë udhëhiqet nga parimet e moderacionit, bashkëpunimit, fqinjësisë së mirë dhe integrimit rajonal. Parime këto që janë kristalizuar si rezultat i vlerave humane shumëshekullore të shoqërisë dhe kulturës shqiptare si: toleranca, harmonia, bashkëjetesa ndërfetare, ndëretnike e ndërkulturore.
Krenar për këtë trashëgimi të vyer, vendi im synon të ndajë dhe promovojë këto vlera shqiptare me gjithë bashkësinë euroatlantike dhe në veçanti me OSBE-në.
Lidhja midis Shqipërisë dhe OSBE-së daton që në përçapjet e para të demokracisë shqiptare. OSBE-ja simbolizon në Shqipëri daljen nga izolimi ndërkombëtar dhe afrimin me bashkësinë euro-atlantike dhe vlerat e saj të lirisë, demokracisë e sundimit të ligjit, duke na motivuar që të jemi më aktivë në kuadër të kësaj Organizate dhe të përkushtuar ndaj përmbushjes së qëllimeve dhe objektivave të saj afatgjatë.
*Fjala e mbajtur nga Presidenti Bamir Topi në samitin e krerëve të shteteve dhe qeverive të OSBE, në Astana të Kazakistanit.