Prishtinë, 2 dhjetor, NOA - Në fushatën zgjedhore për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare në Kosovë që do të mbahen më 12 dhjetor, dje zyrtarisht janë nisur edhe përfaqësuesit e partive politike serbe dhe iniciativave qytetare, edhe pse Beogradi ka porositur se akoma nuk janë krijuar kushtet për dalje në zgjedhje.
Në këto zgjedhje, siç shkruan gazeta serbe “Blic”, marrin pjesë gjithsej 29 parti politike dhe iniciativa qytetare, nga të cilat 8 janë serbe.
Në listat zgjedhore serbe gjenden mbi 200 kandidatë, ndër të cilët 82 janë femra.
Serbët kanë 10 vende të garantuara në Kuvendin e Kosovës me 120 vende.
“Serbët do të mund të bëhen partia e dytë politike për nga fuqia dhe teorikisht do të mund të kishin edhe presidentin e Kosovës, në rast se do të bashkoheshin dhe në rast në zgjedhje do të votonin edhe të zhvendosurit. Rezultati definitiv do të ishte arritja e një pushteti të rëndësishëm”, vlerëson Vlladimir Todoriç, themeluesi i Qendrës për Politikë të Re dhe anëtari i Këshillit për politikë të jashtme të Ministrisë së Jashtme Serbe.
NOA