English

Topi në Samitin e OSBE: Shqipëria mbështet paqen dhe stabilitetin rajonal

Astana, 2 Dhjetor, NOA – “Kjo veprimtari mbart domethënien e mirëbesimit të rritur në hapësirën transatlantike dhe potencialin e madh për të rigjallëruar rolin e OSBE-së, duke përcaktuar prioritete dhe angazhime të qarta, me synimin e rritjes së sigurisë tonë të përbashkët”. Kështu e nisi presidenti Bamir Topi, fjalimin e tij në Samitin e OSBE-së që po mbahet në kryeqytetin e Kazakistanit,

“Individët të cilëve u mohohet vota e lirë, ata që vuajnë barrën e konflikteve të ngrira dhe trafikun e qenieve njerëzore, grupet e pambrojtura që përballen me intolerancën apo diskriminimin, etnik a fetar, qytetarëve që u mohohen të drejtat e njeriut dhe liritë themelore, në kundërshtim me angazhimet OSBE-së, shohin nga kjo Organizatë, me shpresë dhe pritshmëri të lartë. Ky Samit dhe OSBE-ja nuk mund të qëndrojnë indiferentë kundrejt këtyre sfidave të sigurisë”, tha ai.

Duke shtuar se intensifikimi i proceseve të globalizimit është shoqëruar me sfida të reja për hapësirën e OSBE-së.

“Krimi ndërkufitar dhe ndërkombëtar, krimi kibernetik, terrorizmi, mungesa e sigurisë energjetike dhe situata kritike në Afganistan mbartin rreziqe që kërcënojnë sigurinë dhe prosperitetin e përbashkët të vendeve tona. Trajtimi i kujdesshëm i këtyre kërcënimeve dhe në bashkërendim me Organizata të tjera përbën një sfidë aktuale të OSBE-së së shekullit XXI”, parashtroi Topi.

Duke vijuar më tej se ndaj dhe është me rëndësi thelbësore që Dokumenti i Astanës të përçojë një vizion të qartë të orientimit të veprimtarisë së OSBE-së në të ardhmen, dhe të shpjegojë rolin e saj në terren e në nivel strategjik, në kuadër të arkitekturës së sigurisë në Evropë.

"Shqipëria mbështet vazhdimin e dialogut për Sigurinë Evropiane-Procesin e Korfuzit -, si një instrument i vlefshëm për rritjen e mirëbesimit në hapësirën e OSBE-së, e cila duhet t’i shërbejë promovimit të sigurisë, të drejtave të njeriut dhe institucioneve demokratike.

Në vizionin tonë, rigjallërimi i OSBE-së dhe rritja e efektivitetit të saj duhet bërë duke ruajtur tiparet themelore të Organizatës: rregullin e konsensusit, fleksibilitetin, qasjen bashkëpunuese në zbatimin e angazhimeve nga shtetet pjesëmarrëse dhe mandatin gjithëpërfshirës”, tha më tej Topi.

Duke përfunduar fjalën e tij se falë zhvillimeve të viteve të fundit, Ballkani Perëndimor po përjeton një periudhë paqeje, stabiliteti e progresi të gjithanshëm.

“Zvetënimi gradual i barrierave kufitare, ka sjellë si rrjedhojë lëvizjen e lirë të qytetarëve të vendeve tona, dhe rritjen e shkëmbimeve, tregtare e kulturore. Synimi i përbashkët i integrimit evropian ka shërbyer si mekanizëm stimulues për realizimin e shumë reformave të brendshme, në forcimin e institucioneve demokratike dhe shtetit ligjor, dhe reformave në politikën e jashtme të vendeve tona, drejt konsolidimit të sigurisë dhe një stabiliteti afatgjatë, në rajon e më gjerë”, përfundoi ai.

n.e/NOA

KOMENTE