Astana, 2 dhjetor, NOA - Presidenti i Republikës, Bamir Topi u takua sot me homologun e tij hungarez, Pal Shmid, në kuadër të punimeve të Samitit të OSBE-së që po mbahet në kryeqytetin kazak, në Astana.
Presidenti Topi vuri në dukje “frymën e marrëdhënieve shumë të mira të miqësisë e të bashkëpunimit midis dy vendeve tona”, duke nënvizuar faktin se “ne vlerësojmë veçanërisht mbështetjen e vazhdueshme që Hungaria i ka dhënë proceseve euro-integruese të Shqipërisë, si dhe duke shprehur besimin e palëkundur në vazhdimësinë e këtij bashkëpunimi, me synim zhvillimin e partneritetit të përbashkët”.
Në këtë pikë, Presidenti Topi theksoi rëndësinë e zhvillimit të mëtejshëm të këtij bashkëpunimi duke pasur parasysh që Hungaria në fillim të vitit 2011 do të jetë Kryesuesja e radhës e Bashkimit Evropian.
Nga ana e tij, Presidenti hungarez Pal Shmid, pasi vlerësoi si shumë të mira marrëdhëniet historike mes dy vendeve tona, e siguroi Kreun e Shtetit shqiptar për vullnetin dhe vazhdimësinë e përkrahjes së Hungarisë për përmbushjen e aspiratave integruese shqiptare për t’u bërë pjesë e familjes së madhe evropiane.
Shmid theksoi rëndësinë e zhvillimit të mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe në të gjitha fushat, por edhe në kuadër të bashkëpunimit të frytshëm në organizmat ndërkombëtare, siç është edhe OSBE-ja.
Të dy homologët diskutuan dhe ndanë pikëpamje të përbashkëta edhe për sa i përket situatës së qëndrueshme dhe zhvillimit të mëtejshëm ekonomik të mbarë rajonit të Ballkanit ku të gjitha vendet e tij janë të orientuara drejt integrimit euro-atlantik.
n.e/NOA