Tiranë, 3 Dhjetor, NOA - Arratisja e djeshme e të burgosurit Ajet Marku nga mjediset e Burgut 313, është shoqëruar mëngjesin e sotëm me dy arrestime të punonjësve të këtij reparti të vuajtjes së dënimit.
Siç raportohet për agjencinë e Lajmeve NOA paraprakisht nga burimet policore të Tiranës, bëhet fjalë për arrestimin e përgjegjësit të sigurisë së Burgut 313, Kamber Hoxha dhe specialistit të trupës së regjimit, Eqerem Disha; të cilët janë vënë në pranga nën akuzën e shpërdorimit të detyrës.
Ndërkaq, bazuar në të njëjtën akuzë janë paditur penalisht edhe tre policë të këtij institucioni të vuajtjes së dënimit.
Me emrat respektivë Xhevat Hidri, Dritan Rama dhe Frrok Binaku; që të tre ata do të hetohen në gjendje të lirë nga organi i akuzës lidhur me arratisjen e të dënuarit Ajet Marku ditën e djeshme nga mjediset e Burgut 313.
n.e/NOA