Tiranë, 3 dhjetor, NOA – Deklarata e partneritetit strategjik mes Shqipërisë dhe Italisë ka bërë që dy vendet të kenë një bashkëpunim të madh ekonomik. Ky është vlerësimi që ka dhënë sot kryeministri Sali Berisha gjatë takimit me Kryetarin i Komisionit Parlamentar të Transportit, Postës dhe Telekomunikacionit në Parlamentin Italian, Mario Valduci.
Gjatë takimit kryeministri vlerësoi mbështetjen dhe rolin e Italisë në proceset e integrimit evropian të vendit, në veçanti atë të liberalizimit të vizave për qytetarët shqiptarë.
Duke folur për ekonominë, Berisha bëri një eksopoze të zhvillimeve ekonomike pozitive të vendit duke konsideruar si një çelës suksesi reformat ekonomike dhe modernizimin e institucioneve të ndërmarra nga qeveria shqiptare, luftën kundër korrupsionit dhe projektet masive të investimeve në infrastrukturë.
Nga ana tij Valduci i bëri një prezantim të shkurtër kryeministrit Berisha të iniciativës për krijimin e “Klubit të Lirisë” në Shqipëri, si një mekanizëm komunikimi e bashkëpunimi midis dy vendeve, ku bashkohen përfaqësues të biznesit, shoqërisë civile, politikës e individë për të promovuar e mbështetur lirinë, demokracinë dhe prosperitetin.
Duke e përshëndetur këtë iniciativë, kryeministri Berisha vlerësoi bashkëpunimin e shkëlqyer midis Shqipërisë dhe Italisë.
Në takim u diskutua edhe për mundësinë e organizimit të një forumi ekonomik me pjesëmarrjen e politikanëve, sipërmarrësve dhe gazetarëve italianë me qëllim vënien në pah të potencialeve të ekonomisë shqiptare.
a.k.NOA