Tiranë, 3 Dhjetor, NOA - Kryeministri Beisha priti sot në takim shefin e Misionit EULEX në Kosovë, Xavier Bout de Marnhac.
Pasi i uroi përzemërsisht mirëseardhjen, Berisha theksoi se Shqipëria vlerëson shumë rolin dhe kontributin e rëndësishëm që misioni EULEX po jep në konsolidimin e shtetit ligjor në Republikën e Kosovës dhe se Shqipëria e mbështet plotësisht përpjekjet e EULEX dhe të institucioneve demokratike të shtetit më të ri europian, Republikës së Kosovës, për konsolidimin e demokracisë, shtetit ligjor, garantimin e të drejtave dhe lirive të individit dhe minoriteteve.
Kryeministri Berisha ritheksoi se Kosova është kthyer tashmë në faktor paqeje dhe sigurie në rajon.
Nga ana e tij, Xavier Bout de Marnhac e falënderoi Berishën për pritjen e ngrohtë e miqësore dhe i shprehu mirënjohjen e thellë për mbështetjen që Shqipëria i ka dhënë dhe i jep misionit EULEX dhe Kosovës, por edhe për rolin që Shqipëria luan si një faktor i rëndësishëm inkurajues për forcimin e dialogut dhe bashkëpunimit, në shërbim të paqes e stabilitetit në rajon.
Në takim u vlerësua rezoluta e fundit e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, e cila ofron të gjitha mundësitë për zhvillimin e dialogut dhe bashkëpunimit për të gjitha çështjet praktike midis Prishtinës dhe Beogradit, çka do t’i shërbejë interesit më të mirë të këtyre dy vendeve, por edhe konsolidimit të stabilitetit e sigurisë në rajon.
n.e/NOA