English

Blerim Shala: AAK, në asnjë mënyrë koalicion me PDK-në

Prishtinë, 3 dhjetor, NOA - Nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Blerim Shala ka përjashtuar mundësinë që AAK-ja të bëjë koalicion për formimin e qeverisë më Partinë Demokratike të kryeministrit Hashim Thaçi, të cilën e ka kritikuar në vazhdimësi për 'keq-qeverisje'.

Në intervistën që i dha BBC-së, Shala thotë se Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës preferon formimin e qeverisë me Lidhjen Demokratike të Kosovës.


Z.Shala, cila është oferta juaj për votuesit kosovarë?

Po mendoj që gjendja reale në Kosovë dihet, nuk ka dilema që situata ekonomike dhe sociale është e rëndë. Shpresat e kosovarëve që shteti i Kosovës do të provojë një kualitet më të mirë të jetesës nuk janë realizuar për shkak të qeverisjes së keqe PDK-LDK, ndërsa ne jemi të përqendruar në temat sociale dhe ekonomike. E dimë fare mirë që buxheti i Kosovës duhet të rritet, duhet të bëhet më së paku dy miliardë euro, që duhet të ketë investime nga jashtë që do të krijojnë favore të tilla ligjore dhe të krijojnë ambient të sigurt për investime nga jashtë duke iu shmangur gjithsesi korrupsionit.

Të gjitha këto elemente në pakon ekonomike dhe sociale sjellin deri te rritja e buxhetit dhe te përmirësimi i jetës individuale të qytetarëve të Kosovës. Nuk po flas për tema të tjera politike, për diplomaci, të cilat po ashtu dëshmojnë që kjo qeveri ka qenë e dështuar. Para së gjithash, ne duhet t'iu ofrojmë siguri individuale qytetarëve të Kosovës, që do të jetojnë më mirë sot e që Kosova do të ketë prosperitet nesër. Kjo nënkupton, së pari, liberalizimin e vizave apo udhëtimin pa viza të qytetarëve të Kosovës dhe, së dyti, 'marrjen e vizës' nga Kosova për të hyrë në NATO dhe në BE.

Cilat janë tri shtyllat e forta të programit tuaj?

Rendi dhe ligji - gjithsesi e shikoni nëse nuk keni rend dhe ligj, të gjitha të tjerat janë të kota. Temat ekonomike dhe sociale, shtyllat ekonomike dhe sociale dhe shtyllat arsimore dhe shëndetësore. Këto janë të ndërlidhura, në fakt. Zhvillimi ekonomik është forcë lëvizëse e çdo programi të mirëfilltë politik. Nëse nuk keni zhvillim ekonomik, të gjithë të tjerat janë thjesht propagandë politike. Parakusht për zhvillimin ekonomik është rendi dhe ligji. Kur të keni rend dhe ligj, kur të keni zhvillim ekonomik, rezultatet e sigurisë në aspektin e rendit dhe ligjit, të prosperitetit në aspektin ekonomik, krijojnë rrethana të favorshme për të gjitha çështjet e tjera.

Cili është caku që ju synoni të arrini? Sa përqind të elektoratit mendoni se do të mund të tërhiqni me programin që po u ofroni atyre?

Pas programit, në zgjedhje ka rëndësi të keni një program të mirë, së dyti të keni personalitete të fuqishme që të garantojnë që ai program është i mirë dhe i realizueshëm dhe së treti të krijojnë një perceptim, një imazh për juve, që jeni në gjendje të bëni atë çka premtoni. Mendoj që të tria i ka koalicioni mes Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Listës Ibrahim Rugova dhe partive të tjera.
Kemi personalitete të shquara, kemi programin shumë të mirë dhe jemi duke krijuar perceptimin që mund të fitojmë. Kjo është kryesorja. Shikoni sa parti dalin në zgjedhje për të fituar. Por, nëqoftëse nuk e krijoni perceptimin që ju jeni në gjendje ta bëni një gjë të tillë, atëherë e keni kot. Mendoj që të tria i kemi.

Po ashtu kemi edhe një element që objektivisht është disavantazh, por që po krijohet si një avantazh, kjo është mungesa e kryetarit Ramush Haradinaj që është në tribunalin e Hagës. Mendoj që të gjithë, shumë njerëz, qytetarë të Kosovës, po e kuptojnë se zoti Haradinaj është një njeri që gjithmonë ka qenë në gjendje të sakrifikohet për Kosovën. Kjo gadishmëri e tij po e ushqen ambicjen tonë gjerësisht po te jenë rrethana ku kualiteti i ofertës tonë do të rezultojë me kuantitet të votës apo një përqindje. Ne synojmë të fitojmë, të bëhemi partia me më së shumti vota me përqindje më të madhe, se si parti e tillë, siç e dini, të marrim mandatin për të krijuar insitucionet qendrore.

Zoti Shala, keni bërë koalicione parazgjedhore por ajo për të cilën është folur më së shumti ka qenë lista Ibrahim Rugova. Sa mendoni se do të përfitoni nga koalicioni me këtë listë?

Objektivisht ne mendojmë se do të përfitojmë shumë, për arsye se sot e kësaj dite i ndjeri presidenti Ibrahim Rugova është politikani më i popullarizuar në Kosovë, së dyti Uk Rugova (djali i tij)ka hyrë fuqishëm, rrëmbyeshëm në politikë me një vizion të qartë, me konceptin e bashkimit, të cilin e ka promovuar i ati i tij, presidenti Rugova. Ne jemi të vetëdijshëm se edhe pse vimë nga anë të ndryshme politike, jemi bërë së bashku për shkak se jemi të pakënaqur me gjendjen në Kosovë, jemi shumë të shqetësuar, së dyti sepse dimë ku është adresa e fajit apo përgjegjësisë për këto drejtime, dhe së treti se kemi nevojë për njëri-tjetrin. Ne e dimë se vetëm një bashkim i tillë forcash mund të krijojë rrethana kur ky koalicion mund të dalë fitues.

Kjo ishte sa i përket koalicioneve parazgjedhore. Po sa i përket atyre paszgjedhore, sa është e gatshme AAK-ja të bëjë koalicion? Jeni në këtë aspekt të gatshëm të hyni në koalicion me Partinë Demokratike të Kosovës, që ju e keni kritikuar shumë gjatë qeverisjes së saj?

Ne e shohim Partinë Demokratike të kryeministrit Thaçi, si përgjegjësin kryesor për gjendjen e keqe që është, megjithëse nuk mund ta shfaqësojmë aspak as LDK-në, sepse e dini fare mirë deri pak javë më parë LDK-ja ka qenë në koalicion, në partneritet. Justifikimet që dëgjojmë apo që kemi dëgjuar, nuk pijnë ujë. Do të thotë ekziston një bashkëpërgjegjësi. Sa i përket koalicioneve paszgjedhore, gjithë varet prej rezultatit. Mendoj që qytetari i Kosovës me votën e tij do të përcaktojë se çfarë kombinimi dëshiron ai në krye të pushtetit dhe në krye të shtetit.

Tash partitë dhe subjektet që marrin pjesë në zgjedhje kanë një identitet të qartë dhe bashkimi i këtyre identiteteve me orientime të qarta djathtiste, besoj sjell në konkludim se kah mund të ecë Alenaca për Ardhmërinë e Kosovës. Ne nuk e fshehim se kemi një afërsi programore konceptuale me parti të tilla, para së gjithash me Lidhjen Demokratike të Kosovës, edhe pse zyrtarë të LDK-së asnjëherë nuk flasin për mundësinë e koalicionit me ne, por që falsin me kë nuk do të dëshirojnë të bëjnë koalicion. Ne e kemi situatën e qartë, por synimi ynë është të jemi numër një, pra të marrim më së shumti vota pasi atëherë marrim një komoditet të ofertës, bisedimeve, me partnerët tanë eventualë për ta bërë qeverinë qendrore.

Pra, nuk përjashtohet as mundësia e një koalicioni mes PDK-së dhe AAK-së?

Jo përjashtohet, tash po flas krejt hapur. Nëse do të kemi mundësi ne si partia e parë ta nisim procesin e krijimit te qeverisë, para së gjithash, do të thërrasim LDK-në të bisedojmë për modalitetet e krijimit të qeverisë.

Por, nëse kjo nuk ndodh?

Variante të tjera janë variante objektivisht sot për sot të paparishikueshme, sepse po supozoj nëse varianti që LDK-ja të na ofrojë ne, po ashtu për ne është i pranueshëm, nëse LDK-ja del fituese. Por, objektivisht, nëse PDK-ja prapë del fituese, do të kemi një krizë të rëndë politike sepse nuk mendoj që qytetari i Kosovës me kaq shumë pakënaqësi, objektivisht, dëshiron që të ketë një vazhdimësi të qeverisjes Thaçi.

Zoti Shala, në hapje të fushatës zgjedhore, AAK-ja ka nominuar për kryeministër zotin Ramush Haradinaj. Sa logjike është që të nominohet për kryeministër një njeri që nuk ndodhet këtu, por në Tribunalin e Hagës, fati i të cilit është ende i paqartë.

Nuk është bërë kjo vetëm në mënyrë simbolike, apo për të përçuar një mesazh politik të përbashkët midis nesh, Listës Ibrahim Rugova dhe partnerëve të tjerë në koalicion. Ne kemi besim të fuqishëm, që kryetari Haradinaj do të kthehet shumë shpejt në Kosovë. Të gjitha paraljmërimet janë që nuk do të zgjasë proçesi aq shumë sa që ta pamundësojë rikthimin e zotit Haradinaj në postin e kryeministrit. Procesi i bërjes së qeverisë, i konstituimit të kuvendit, i krijimit të institucioneve qendrore do të marrë kohë, sepse kjo është logjikë e demokracisë. Nuk mund të bëhen gjërat brenda pak javëve. Kështu që shpresojmë që do të kemi një koinçidim pozitiv, Pra, derisa të krijohen rrethanat për krijimin e qeverisë së Kosovës, zoti Haradinaj do të lirohet si i pafajshëm.

Po alternativa cila është, nëse kjo nuk ndodh?

Nëse merr mandat Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, do të gjenden modalitete me partnerët tanë sepse disa herë e përmendëm që koalicionet janë të pashmangshme në bazë të sistemit zgjedhor që ka Kosova, sistemit politik që ka organizuar Kosova, partneriteti me parti të tjera është i domosdoshëm dhe do ta gjejë modalitetin deri në kthim të kryetarit Haradinaj dhe pse po them kemi shpresa të mira të bazuara që gjithçka do të jetë në rregull.

BBC

KOMENTE