English

Çka në fakt na solli Pavarësia?

Kosova më në fund shpalli pavarësinë e cila nuk mund të injorohet si proces dhe akt! Pavarësia shërbeu si qetësues pasi të gjithë menduan se do të rridhte vetëm mjaltë! Se do të zgjidhen të gjitha problemet dhe brengat! Nëse ka ndryshuar pamja e jashtme (rregullimi shoqëror ), brendia ka mbetur thuaj e njëjtë! Të gjitha simbolet shtetërore na u imponuan , pa përfillur fare vullnetin e popullit. Përpjekje për ç’kombëtarizim bëheshin përmes shpikjes së kombit kosovar! U dhanë shumë para që kjo përzierje e asgjëje që do të quhej komb kosovar të afirmohej dhe legalizohej!

Nga Bexhet Shala*

Dhuna e Serbisë si faktor mobilizues: Serbia, si zemër e të gjitha krijesave shtetërore, deri në shkatërrimin e saj për më shumë se një shekull ka ushtruar dhunë të pashembullt kundër shqiptarëve me të vetmin qëllim që një herë e përgjithmonë ta zgjidh çështjen shqiptare në Kosovë dhe ta relativizojë faktorin shqiptar në Ballkan.

Ka vrarë me qindra mijëra shqiptarë dhe ka shpërngulur me dhunë mbi 2 milionë shqiptarë!

Qëllimi i saj ka qenë zhbërja e substancës kombëtare ngase ka qenë e sigurt se më vonë do të përballet me kërkesat politike të shqiptarëve të cilat do të jenë diametralisht të kundërta me pëlqimin që e patën dhënë politikanët shqiptarë (kosovarë), të rekrutuar nga regjimi serb të cilët edhe janë instaluar në ato pozita për t’i mos mbrojtur interesat e popullit shqiptar.

Dhuna vërtet ishte e çmendur mirëpo efektet ishin defavorizuese për regjimin serb dhe krijesat shtetërore siç ishin Mbretëria serbo-kroato-sllovene dhe Jugosllavia e pasluftës e Josip Broz Titos, Aleksandar Rankoviçit dhe Slobodan Milosheviçit.

Sa më shumë intensifikohej dhuna, kërkesat e shqiptarëve vinin e rriteshin dhe rezistenca gjithashtu rritej në përmasa të së pabesueshmes siç ishte lufta heroike e UÇK-së në me krye të dy komandantëve, atij politik të Madhit Bacë Adem Demaçit dhe atij ushtarak Komandantit Legjendar të UÇK-së, gjithashtu të Madhit Adem Jashari!

Duket se për herë të parë shqiptarët bënin luftë për veten e tyre! Nuk luftuan as për sulltanët, as për italianët , as për gjermanët, as për Stalinët dhe Leninët, as për Enverët e as për titistët dhe rrogëtarët e tyre por thjesht për shqiptarët në Kosovë dhe shqiptarët e trojeve tjera jashtë Kosovës dhe për këtë arsye edhe ia dolën!

Qëllimi ishte shtytje për çdo sakrificë andaj edhe u bënë shumë flijime duke filluar nga baballarët e patriotizmës shqiptare siç ishin Sylejman Vokshi, Haxhi Zeka, Idriz Seferi, Mic Sokoli, Hasan Prishtina, Isë Boletini, Azem Bejta me Shotë Galicën, Rifat Berisha, Mulla Idriz Gjilani, Jahja Fusha, Marie Shllaku me Gjon Serreçin, Shaban Polluzha dhe Mehmet Gradica, Fazli Grajçevci dhe Shaban Shala, Adem Demaçi, Rexhep Mala dhe Nuhi Berisha, Jusuf dhe Bardhosh Gërrvalla me Kadri Zekën, Adem Jashari me katër breza të kësaj familjeje, familja e Hilmi Haradinajt, Zahir Pajaziti, Fehmi dhe Xhevë Lladrovci Remzi Ademaj, kom. Petriti dhe shumë shqiponja dhe petritë të tjerë që u sakrifikuan për lirinë e Kosovës dhe bashkimin me Shqipërinë!

Bashkimi me Shqipërinë ishte pikënisje dhe synim e çdo veprimtarie për liri të shqiptarëve dhe nuk e di nëse mund të ketë edhe sot ndonjë kërkesë më normale dhe më e natyrshme se kjo! Ata që i shërbyen Mbretërisë SKS dhe Jugosllavisë së Titos dhe Milosheviqit përpiqeshin pikërisht për të kundërtën, donin ta lenin Kosovën peng të një regjimi gjenocidal të cilit i shërbenin me aq vullnet dhe devotshmëri! Kjo ishte një hyrje shumë e shkurtër për një histori aq të lavdishme e mbushur me sakrifica antologjike për të treguar se dhuna asnjëherë nuk mund të përdoret si mjet për ngulfatjen e kërkesës për liri, barazi dhe demokraci sepse prodhon rezultate krejt të tjera. Shembull konkret ishte lufta e fundit e lavdishme e UÇK-së! Është e vërtetë se na ndihmuan edhe miqtë ndërkombëtarë, amerikanët në radhë të parë por angazhimi i tyre ishte më shumë i natyrës teknike!

Vuajtjet e shumta, arrestimet, vrasjet individuale dhe ato në masë, burgjet shekullore, sakrifikimet individuale, familjare dhe si popull, kërkesat dhe angazhimet shekullore për liri dhe pavarësi ishin përmbajtja dhe kushti që duhej përmbushur që ta kemi këtë pavarësi dhe liri që e kemi ndërsa ambalazhimi i jashtëm ishte intervenimi ushtarak humanitar i NATO-s dhe aleatëve të saj. Përmbajtja pra ishte UÇK dhe populli përfshirë këtu edhe qytetarët e të gjitha përkatësive etnike në Kosovë dhe pa këta ende do të mrizonim nën Serbinë , qoftë nën një autonomi substanciale apo kulturore!

Periudha midis përfundimit të luftës dhe ditës së shpalljes së pavarësisë: Në kohën e dhunës masive që ushtronte Serbia ndaj shqiptarëve, familja shqiptare ishte shtylla dhe zemra e qëndresës si dhe ruajtjes së substancës kombëtare. Duke mos arritur ta shkatërrojë këtë bërthamë të kombit dhe të shtetit , Serbia edhe e humbi luftën në Kosovë! Pas përfundimit të luftës e që konsiderohet si periudhë e emergjencës në Kosovë vërshuan shumë ndërkombëtarë, nga të gjitha vendet e botës. Ushtarakë , policë, administratorë lokal , rajonal dhe ata që ishin kryetarë të Kosovës, OJQ, Fondacione, Shërbime Informative dhe Kundër-informative, agjentë të Serbisë etj. Me një fjalë e tërë bota ishte e vendosur në Kosovë e cila u shndërrua në mikrokozmos! Në dy vitet pas përfundimit të luftës stafi ndërkombëtar ishte më i kualifikuar dhe më përgjegjës ndërsa më vonë Kosova u bë Eldorado ( tokë e premtuar) për të gjithë matrapazët , kriminelët dhe hajdutët ndërkombëtarë!

Ndërkombëtari me shkollë fillore udhëhiqte KEK-un duke i vjedhur shumë fonde! Krimineli i Ruandës përgjegjës për krime lufte në vendin e tij bëhej polic dhe ndante drejtësi në Kosovë! Alkoolisti kronik bëhej diplomat dhe këshilltar politik i politikanëve të Kosovës. Pedofili i dëshmuar organizonte trajnime për të drejtat e fëmijëve! Trajnuesi i luanëve dhe elefantëve në Afrikë bëhej trajnues i njësitit special të Policisë së Kosovës! Vrasësit e protestuesve paqësorë dekoroheshin për krimin! Narkomanët dhe narkodilerët ndërkombëtarë luftonin narkomaninë në Kosovë! Ata që na mësonin për të drejtat e grave i dhunonin vet ato duke i shantazhuar me një vend të punës! Trafikimin me qenie njerëzore dhe prostitucionin e “luftonin” duke qenë pjesë aktive e saj! I vrisnn personat e privuar nga liria në burgje ndonëse ishin aty për t’i mbrojtur të drejtat e tyre! Angazhoheshin për investime dhe projekte zhvillimore në kohën kur vet i vidhnin shumicën e fondeve! I luftonin kriminelët e luftës në Kosovë, kryesisht shqiptarë me ndihmën e kriminelëve të vërtetë serbë! Ndihmonin ndërtimin e institucioneve të Kosovës dhe demokracisë duke krijuar institucione vazale ( kukulla) dhe me metoda krejtësisht jodemokratike! “ Ndihmonin” në ndërtimin e kapaciteteve politike duke i shantazhuar ato dhe duke i turpëruar skajshmërisht! Arsimin , në të gjitha nivelet e shndërruan në kurse kundër analfabetizmit të modelit të pas luftës ( 1945) dhe atij të Fidel Kastros! Shëndetësinë e zbritën në nivelin e atyre që qesin fall apo shërojnë me hajmali! Ky ishte kontributi strategjik i ndërkombëtarëve pas përfundimit të luftës! Nuk përdorën shumë dhunë apo ate e përdorën në mënyrë të dozuar por përdorën dhunë të sofistikuar! Na goditën aty ku Serbia nuk arriti ta bënte gjatë tërë kohës së okupimit! Na goditën në familje dhe filluan ta çmontojnë ate! U rritë numri i përdoruesve të drogës dhe ajo thuaja shitet si artikull i lejuar. Madje edhe në shkolla! U rritë numri i analfabetëve. Liria e medieve nënkuptohej vetëm nëse e sulmoni Qeverinë dhe shtetin tënd pa asnjë kriter dhe duke iu lëbyrur ndërkombëtarëve edhe atëherë kur ata kishin hyrë thellë llugave! I tillë ishte edhe roli i shoqërisë civile, me përjashtime të vogla të cilat pastaj cilësoheshin si kundërshtarë apo armiq të miqve ndërkombëtarë! Satanizimi , pushkatimi moral medial ishte mënyra më efikase për eliminimin njerëzor, kombëtar, politik etj. të atyre që mendonin ndryshe! Në emër të disa standardeve të projektuara sipas tyre! U fuqizua kriminaliteti i të gjitha llojeve! Varfërimi i popullatës dhe papunësia u rritë sikur në kohën e Haxhi Qamilit! Territori i Kosovës u bë sikur lëkura e leopardit me procesin e decentralizimit në baza etnike! Populli serb mbeti “nebeski narod – populli hyjnor” edhe në kohën e UNMIK-ut! Sikur tani në kohën e EULEX-it! Nuk duhen fare raportet e Wikileaksit që të bindemi në këto të vërteta por kur këto të bëhen publike në tërësi atëherë do ta kemi të qartë pse jemi në këtë gjendje që jemi! Jemi shndërruar në minj eksperimental! Në këto rrethana edhe u shpall Pavarësia e Kosovës!

Ç’kombëtarizimi dhe dehumanizimi: Kosova më në fund shpalli pavarësinë e cila nuk mund të injorohet si proces dhe akt! Pavarësia shërbeu si qetësues pasi të gjithë menduan se do të rridhte vetëm mjaltë! Se do të zgjidhen të gjitha problemet dhe brengat! Nëse ka ndryshuar pamja e jashtme (rregullimi shoqëror ), brendia ka mbetur thuaj e njëjtë! Të gjitha simbolet shtetërore na u imponuan , pa përfillur fare vullnetin e popullit. Përpjekje për ç’kombëtarizim bëheshin përmes shpikjes së kombit kosovar! U dhanë shumë para që kjo përzierje e asgjëje që do të quhej komb kosovar të afirmohej dhe legalizohej! Denoncimi për një pozitë, për një grusht para, për ta eliminuar kundërshtarin, për ta mbrojtur veten nga ligji për shkak të implikimit në vepra të rënda kriminale u shndërrua në standard moral! Kosovës i duhet rikthimi i identitetit kombëtar, atij shqiptar! Kosova duhet ta rishkruaj historinë e vërtetë të saj e jo ta mësojë një histori idioteske siç ka mësuar deri më tani! Vlerat kombëtare janë vlera njerëzore dhe nuk është kurrfarë turpi nëse trajtohen të tilla! Madje, për zhvillimin e një kombi dhe një demokracie kjo është e domosdoshme ! Asnjëherë nuk mund ta duash dhe respektosh një komb tjetër nëse nuk e don apo respekton kombin tënd! Kjo është themel i çdo demokracie! Çdo interpretim tjetër është vetëm një hipokrizi !

Pse nuk u zhvillua Kuba: Sipas një informate në medie, Fidel Kastro ndryshe Zot i Kubës komuniste paska fjetur me më shumë se 35.000 femra! Merreni me mend! 35.000 është shifër që nuk mund të injorohet! Duket se kjo është arsye pse Kuba ka mbetur shumë mbrapa në zhvillim. Madje më mbrapa se në kohën e Batistës të cilin Kastro e përmbysi me një revolucion nga majat e Siera Maestras! Fatmirësisht udhëheqësit tanë nuk kanë kapacitete si Fidel Kastro andaj Kosova ka përparuar aq shumë!

Zgjedhjet e 12 dhjetorit: E mira e këtyre zgjedhjeve është që fushata parazgjedhore zgjatë vetëm 10 ditë e që do të thotë se vuajtjet janë të afatizuara! Këtu nuk shoh asgjë të re përveç disa fytyrave të reja! Mungojnë idetë! Në ditën e votimit nuk do të ketë vjedhje të votave sepse do t’i kemi mbi 34.000 vëzhgues të pavarur dhe krejt të pavarur! Votat për partitë janë vjedhur me kohë! Tash ka mbetur të vidhen votat brenda partive për kandidatët e tyre të preferuar për Kuvendin e Kosovës!


*Shkrim i dërguar nga autori

KOMENTE