Astana, 3 dhjetor, NOA - Ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto, u takua me homologun e tij të Egjiptit, Ahmed Aboul Gheit, gjatë punimeve të Samitit të krerëve të OSBE-së, që u zhvillua në Astana të Kazakistanit.
Ministri Haxhinasto u ndal te marrëdhëniet tradicionalisht të mira mes dy vendeve tona dhe theksoi interesin e Shqipërisë për të thelluar bashkëpunimin në fushën ekonomike, tregtare dhe të turizmit.
Ai theksoi se ngritja dhe funksionimi i Komisionit të Përbashkët Ekonomik do t’i shërbente realizimit të potencialit bashkëpunues mes dy vendeve në fushat e mësipërme.
Duke u ndalur tek Kosova, Ministri nënvizoi se në vijim të opinionit këshillimor të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë dhe rezolutës përkatëse të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, nuk ka më pengesa ligjore që ndalojnë njohjen e pavarësisë së Kosovës. Kjo e fundit, shtoi Haxhinasto, duhet konsideruar si një kontribut i pazëvendësueshëm për paqen dhe stabilitetin në rajon.
Nga ana e tij, Gheit u shpreh i gatshëm për të intensifikuar bashkëpunimin dypalësh në fushat me interes të ndërsjellë dhe, në këtë kuadër, ai planifikon të vizitojë Shqipërinë gjatë vitit të ardhshëm.
n.e/NOA