English

Haxhinasto kërkon nga Egjipti njohjen e Kosovës

Tiranë, 3 dhjetor, NOA – Ministri i Jashtëm Edmond Haxhinasto ka kërkuar nga homologu i tij egjiptian Ahmed Aboul Gheit njohjen e pavarësisë së Kosovës. Në takimin e zhvilluar gjatë punimeve të Samitit të krerëve të Shtetit dhe Qeverive të OSBE-së, në Kazakistan, Haxhinasto ka deklaruar se vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare e bënë më të lehtë njohjen e shtetit të ri.

“Duke u ndalur tek Kosova, Ministri nënvizoi se në vijim të opinionit këshillimor të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë dhe rezolutës përkatëse të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, nuk ka më pengesa ligjore që ndalojnë njohjen e pavarësisë së Kosovës. Kjo e fundit, shtoi Haxhiansto, duhet konsideruar si një kontribut i pazëvendësueshëm për paqen dhe stabilitetin në rajon”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Jashtme.

Gjatë takimit Haxhinasto u ndal te marrëdhëniet tradicionalisht të mira mes dy vendeve tona dhe theksoi interesin e Shqipërisë për të thelluar bashkëpunimin në fushën ekonomike, tregtare dhe të turizmit.

Ministri i Jashtëm i Egjiptit, Gheit u shpreh i gatshëm për të intensifikuar bashkëpunimin dypalësh në fushat me interes të ndërsjellë dhe, në këtë kuadër, ai planifikon të vizitojë Shqipërinë gjatë vitit të ardhshëm.

a.k/NOA

KOMENTE