English

KESH: Prurjet në HEC-e, shumë të mëdha

Tiranë, 3 Dhjetor, NOA - Situata e përmbytjeve në qytetin e Shkodrës vazhdon të jetë e rëndë, ndërsa prurjet në hidrocentrale vazhdojnë të shtohen dhe për këtë, Koorporata Elektroenergjetike Shqiptare është e detyruar që të vijojë me planin e shkarkimeve prej kaskadave të tyre.

Lajmi konfirmohet nga burimet zyrtare të KESH-it për agjencinë e Lajmeve NOA mëngjesin e sotëm, duke dhënë edhe shifrat e deritanishme të nivelit të ujit në secilin hidrocentral.

Kështu, KESH raporton se në Fierzë niveli i ujit është 290 metra, prurjet janë 1200 metra kub për sekondë, ndërsa shkarkimet 700 metër kub për sekondë.

Ndërsa në hidrocentralin e Vaut të Dejës niveli i ujit është mbi 74 metra, ndërsa prurjet anësore dhe shkarkimi janë 450 dhe 2800 metër kub për sekondë.

Më tej, në Koman niveli i ujit ka shkuar mbi 170 metra, ndërkohë që prurjet anësore dhe shkarkimi në 700 dhe 2170 metër kub për sekondë.

Ndërkaq, mijëra hektarë dhe shtëpi vazhdojnë të jenë të mbuluara nga uji dhe shumë banorë të bllokuar brenda tyre.

n.e/NOA

KOMENTE