English

Krasniqi: Nuk kam shkelur Kushtetutën, jam ushtrues detyre

Prishtinë, 3 dhjetor - Presidenti në detyrë i Kosovës, Jakup Krasniqi tha se beson që në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare, qytetarët do të jenë të lirë të shprehin vullnetin e tyre për partinë e preferuar.

Por ai nuk përjashtoi mundësinë që individë të caktuar të përpiqen të ndikojnë në përcaktimin e votuesve.

Krasniqi u bëri thirrje serbëve, në veçanti atyre në veri, që të shkëputen nga 'politikat e nxitjes, politikat grindavece dhe të ndëshkuara me ligj' dhe të bëhen pjesë e proceseve demokratike në Kosovë.

Duke iu përgjigjur kritikave të opozitës, e cila e akuzon atë për shkelje të kushtetutës për shkak të mbajtjes së postit partiak ndërsa ushtron detyrën e presidentit, Krasniqi tha se këto kritika janë të pabaza.

“Unë i jam përgjigjur kritikave të tyre, bashkë me nenin 88 të Kushtetutës, i cili në asnjë mënyrë nuk më obligon që të heq dorë qoftë nga funksioni publik si kryetar i Kuvendit, qoftë edhe nga funksioni politik në Partinë Demokratike të Kosovës. Neni i parë thotë se presidenti nuk mund ta ushtrojë asnjë funksion tjetër publik. Ushtruesin e detyrës së presidentit e marr nga të qenit kryetar i Kuvendit të Kosovës. Pra e kam pasur një funksion publik dhe ai përkohësisht më ngarkon me detyrën e ushtruesit të presidentit ose ma mundëson të jem president në detyrë”, tha Krasniqi.

NOA/BBC

KOMENTE