Astana, (Kazakistan), 3 dhjetor, NOA – Pas marrjes së procesit të liberalizimit të vizave, Lituania do të mbështesë Shqipërinë në procesin e liberalizimit të vizave.
Kjo është garancia që i ka dhënë ministrit të Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto homologun i tij i Lituanisë, Audronis Azubalis.
Në takimin e zhvilluar gjatë punimeve të Samitit të OSBE-së, që u zhvillua në Astana të Kazakistanit dy diplomatët diskutuan për zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe dhe avancimi i procesit të integrimit europian të Shqipërisë.
Haxhinasto falenderoi Lituaninë për mbështetjen e dhënë në procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO dhe procesin e liberalizimit të vizave.
Ai e vlerësoi bashkëpunimin rajonal të vendeve baltike gjatë procesit të integrimit të tyre në BE, si një model të suksesshëm që mund të zbatohet edhe në Ballkanin Perëndimor.
Nga ana tij Azubalis vlerësoi progresin e arritur nga Shqipëria në kuadër të procesit të integrimit në BE, si dhe siguroi për vazhdimin e mbështetjes së Lituanisë dhe ftoi ministrin Haxhinasto për të vizituar Lituaninë në një kohë të përshtatshme.
Një tjetër çështje e diskutuar ka qenë dhe ajo e bashkëpunimit në OSBE, duke qenë se në vitin 2011 presidenca e kësaj organizate i kalon Lituanisë.
a.k/NOA