English

Miratohet Buxheti i Shtetit për vitin 2011 me 73 vota pro

Lexoni në brendësi gjithçka mbi seancën si dhe propozimet e plota dhe argumentet Malaj-Harasani

Tiranë, 3 Dhjetor 2010 NOA – Me 73 vota pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, u miratua vetëm para pak çastesh në tërësi, Buxheti i Shtetit për vitin 2011.

Më herët, me 71 vota kundër, 2 pro dhe një abstenim, u votua neni 1 dhe u hodh poshtë propozimi i parë i parashtruar nga Partia Socialiste që lidhje me deficitin buxhetor. Kurse neni 2 u votua me 73 vota pro dhe dy kundër.

Më pas vijoi miratimi nen për nen i të gjitha neneve të Buxhetit të Shtetit 2011.

Në nenin 11 ka pasur një ndërhyrje të Ministrit të Brendshëm Lulzim Basha i cili kërkoi të përfshihet fondi për 100 punonjës policie. Basha tha se këto forca duhen për ngritjen e 5 postave policore si dhe për të mbështetur në shoqërimin e Bankës gatë transportit në zona të ndryshme të vendit.

Këtu ndërhyri ministri i Financave Ridvan Bode i cili e kundërshtoi hapur z.Basha. “Mua më duket shifër e ekzagjeruar 100 punonjës, e pranueshme do të ishte vetëm gjysma e tyre, pra 50”, - tha z.Bode duke këmbëngulur se “100 policë për 5 posta policie të reja janë shumë”.

Sërish debatoi Basha duke thënë se kostoja do të përballohet nga Banka e Shqipërisë dhe kërkoi që kjo shtesë prej 100 forcash duhet të votohet.

Debati përfundoi me ofertën e Bodes për ta çuar në 60 numrin e policëve të rinj të kërkuar.

Me këtë ndryshim, neni 11 u miratua dhe më tej pa debat u votuan edhe të gjitha nenet e tjera.

Më herët, në emër të Komisionit për Ekonominë dhe Financat, kreu i këtij komisioni Edmond Spaho tha se projektbuxheti i paraqitur për vitin 2011 mbështetet në zhvillimin e qëndrueshëm dhe tendencën e rritjes ekonomike në dy vitet e fundit.

“Komisioni vlerëson qëndrimin e Qeverisë që gjatë vitit 2011 jo vetëm nuk do të rrisë barrën fiskale mbi bizneset dhe qytetarët, por ndërmerr hapa të tjera për uljen e saj. Parashikimi për të ulur TVSH për shërbimet shëndetësore nga 20% në 10% do të influencojë pozitivisht në uljen e kostos së shërbimit shëndetësor

Ndërkohë Ministri i Financave, Ridvan Bode theksoi se opozita manipulon shifrat e buxhetit. Sipas tij projektbuxheti i vitit 2011 mbështetet në prioritetet dhe objektivat e parashikuara në Strategjinë për Zhvillim dhe Integrim të vendit, dhe treguesit e tij janë programuar mbi bazën e të dhënave statistikore e të konsultimeve me institucionet kryesore kombëtare e ndërkombëtare.

Sipas ministrit Bode ecuria e të ardhurave nga taksat dhe doganat është pozitive, ndërkohë që është ndërmarrë edhe nisma për uljen e taksave dhe tatimeve.“Projektbuxheti i vitit 2011 synon konsolidimin e mëtejshëm të stabilitetit makroekonomik të vendit, duke parashikuar një rritje ekonomike prej 5.5 % dhe inflacion prej 3 %.”

Propozimet e plota dhe argumentet Malaj-Harasani

Malaj e Harasani: Buxheti alternativ për vitin 2011
Propozimet alternative për buxhetin 2011
Të rivlerësohet rritja ekonomike në vend, për ta bërë buxhetin sa më realist nga 5,5 në 4.5 % të PBB-së
Të reduktohet deficiti buxhetor nga 3,5% në 2,5 ose 3 % e PBB-së
Ulja e deficitit buxhetor të përballohet nga:
-50% nga ulja e shpenzimeve operative
-17 % nga ulja e investime
-33 % nga rritja e të ardhurave
Të rriten të ardhurat nga privatizimi në masën 4 miliardë lekë nga shitja e licencës së 3G
Këto të ardhura mund të përdoren në disa opsione:
-100% për ulje të deficitit nga 3.5% ne 2.5% ose
-50% për ulje të deficitit dhe
-50% për investime, të gjitha në arsim e shëndetësi (në arsim të përfshihet fillimi i kampusit të Universitetit të Tiranës)
Të rriten të ardhurat me 1,2 miliardë lekë nga rritja e akcizës së cigareve, të cilat të përdoren
-Në ulje të deficitit buxhetor
-Në rritjen e rimbursimit nga TVSH. Kjo rrit mundësinë që kompanitë private të shlyejnë kreditë e këqija, ndihmon bankat të ulin përqindjen e kredive të këqija, të rrisin kreditimin e biznesit, duke ulur edhe kostot e kreditimit të konsumatorit dhe investitorit privat.
Të kompensohet buxheti i pushtetit vendor me 2,3 miliardë lekë, në mënyrë të drejtpërdrejtë me një zë të veçantë humbja e të ardhurave nga tatimi biznesit të vogël për shkak të ligjit për kasat
Të vendosen kritere të qarta për financimin e investimeve publike, duke synuar që afati maksimal të jetë 3 vjet.
Investimet publike të financohen çdo vit, me jo më pak se 33 % të vlerës së tyre totale.
Efektet e propozimeve në ligjin e buxhetit 2011
Deficiti buxhetor të ulet në 2,5% ose 33 miliardë lekë, pra kemi reduktim me 13,7 mild lekë.
-Deficiti buxhetor 3% të PBB-së është 39,6 mild lekë ose 7,1 miliardë lekë më pak.
-Ulja e deficitit në 2,5% ose 13,7 miliardë lekë më pak, duhet të përballohet nga:
-50% nga shkurtimi i shpenzimeve operative ose 6,8 miliardë lekë më pak
-17 % nga shkurtimi i investimeve (jo në arsim dhe shëndetësi) ose 2,3 mild lekë më pak
-33 % nga rritja e të ardhurave ose 4,6 mild lekë më shumë
-Ulja e deficitit në nivelin 3% kërkon shkurtim të tij me 7,1 miliardë lekë
-50% nga shkurtimi i shpenzimeve operative ose 3,6 miliardë lekë
-17 % nga shkurtimi i investimeve (jo në arsim dhe shëndetësi) - 1,3 mild lekë
-33 % nga rritja e të ardhurave ose + 2,2 mild lekë
Sa është pesha e faktorëve të reduktimit të deficitit në opsionin e 2,5% dhe 3 % te PBB-së?
Shkurtimi shpenzimeve operative -2,5 % ose 1,2% e totalit të tyre
Shkurtimi i investimeve publike të brendshme -5,4% ose 2,8%
Rritja e të ardhurave tatimore 2,4 % ose 0,7%
Sa është pesha e shkurtimeve në raport me PBB-në e ekonomisë sonë?
-Shkurtimi shpenzimeve operative -0,52 % ose 0,27 %
-Shkurtimi i investimeve publike të brendshme -0,18 % ose 0,09 %
-Rritja e të ardhurave tatimore 0,34 % ose 0,17%

Si u mbrojt argumenti nga Malaj e Harasani:

Detyrimi ynë në këtë analizë dhe në këtë propozim publik të një buxheti alternativ, nuk është thjesht për t`iu kundërpërgjigjur maxhorancës, jo thjesht për të shuar kuriozitetin e disa analistëve, por për të rritur transparencën ndaj sfidave të vendit. Ne po tentojmë të qartësojmë disa nga momentet më të rëndësishme të qëndrimeve të opozitës rreth buxhetit të vitit 2011. Njëkohësisht, po guxojmë profesionalisht të paraqesim edhe buxhetin alternativ.
Gjëja më e lehtë që mund të bëjnë politikanët është të paraqesin disa shifra ndryshe, pse jo dhe populiste për të krijuar idenë e një buxheti alternativ. Ne kemi zgjedhur një qëndrim ndryshe, pra dëshirojmë të ndajmë me lexuesit tuaj, momentet thelbësore të debateve për politikat ekonomike dhe fiskale të vendit tonë, jo thjesht dhe vetëm për buxhetin e vitit 2011.
Pra, në thelbin e tij, një buxhet alternativ duhet të pasqyrojë efektet fiskale të politikave ndryshe, të grupuara në debate për taksat, shpenzimet, për nivelet dhe burimet e financimit të deficitit. Debati ynë është edhe për strukturën e paketave fiskale të uljes së kostos së borxhit dhe kostos së financimit të ekonomisë.
Më konkretisht, ne kemi diskutuar se politikat fiskale të viteve të fundit kanë përkeqësuar strukturën e të ardhurave në buxhet, kanë disbalancuar tatimin midis punës, kapitalit dhe konsumit.
Kemi argumentuar se kanë rënë ritmet e rritjes së të ardhurave dhe jo vonë, vendi do të ketë nevojë të rishikojë politikat fiskale dhe administrimin fiskal, në mënyrë që të mbështesë më mirë rritjen e të ardhurave në buxhet dhe reduktimin e deficitit dhe borxhit. Opozita është e qartë për politikat e taksave dhe reformat strukturore në ekonomi, që duhen për të ndalur përkeqësimin e financave publike, rikthimin e stabilitetit dhe përmirësimin e tij...

e.r/NOA

KOMENTE