English

MPJ: Faleminderit Lituanisë për mbështetjen në BE

Astana, 3 dhjetor, NOA - Ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto u takua me homologun e tij të Lituanisë, Audronis Azubalis, gjatë punimeve të Samitit të OSBE-së, që u zhvillua në Astana, Kazakistan.

Takimi u përqendrua tek zhvillimi i mëtejshëm i marrëdhënieve dypalëshe dhe avancimi i procesit të integrimit europian të Shqipërisë.

Homologët shprehën interes për të intensifikuar dialogun politik dhe, në këtë kuadër, ranë dakord për të mbajtur konsultime të përhershme mes dy Ministrive të Punëve të Jashtme.

Haxhinasto falenderoi Lituaninë për mbështetjen e dhënë në procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO dhe procesin e liberalizimit të vizave dhe vlerësoi bashkëpunimin rajonal të vendeve baltike gjatë procesit të integrimit të tyre në BE, si një model të suksesshëm që mund të zbatohet edhe në Ballkanin Perëndimor.

Kurse Azubalis vlerësoi progresin e arritur nga Shqipëria në kuadër të procesit të integrimit në BE, siguroi për vazhdimin e mbështetjes së Lituanisë dhe ftoi ministrin Haxhinasto për të vizituar Lituaninë në një kohë të përshtatshme.

U ra dakord që vizitat në nivel ministri të shoqërohen me takime mes komuniteteve të biznesit.

Ministri Haxhinasto i uroi suksese homologut të tij në detyrën e re si kryetar i radhës i OSBE-së në vititn 2011 dhe shprehu gatishmërinë e Shqipërisë për të bashkëpunuar ngushtë në kuadër të Organizatës.

n.e/NOA

KOMENTE