Tirane, 3 dhjetor, NOA – Drejtësia shqiptare dhe misioni EULEX në Kosovë do të thellojnë dhe më tej bashkëpunimin në fushën e krimit të organizuar dhe luftën ndaj fenomeneve të tjera negative.
Në takimin e zhvilluar me kreun e EULEX në Kosovë, Xavier Bout de Marnhac, ministri i Drejtësisë, Bujar Nishani garantoi bashkëpunimin e palës shqiptare.
Nishani theksoi kontributin e ministrisë së Drejtësisë në fushën e bashkëpunimit ndërkombëtar juridiksional si dhe asistencën juridike që i është i ofruar autoriteteve të drejtësisë së Kosovës.
Ai shprehu gatishmërinë e tij me qëllim që ndihma e ndërsjelltë në fushën e bashkëpunimit ndërgjyqësor të jetë e shpejtë dhe efikase.
Drejtuesi i EULEX-it, Xavier Bout de Marnhac, tha se e konsideronte këtë vizitë pune në Shqipëri si shumë të rëndësishme përsa i përket diskutimit dhe bashkërendimit të punës në kryerjen e procedurave në fushën e drejtësisë dhe të rendit.
Në takim u fol dhe për tre draft –marrëveshje, të cilat do të nënshkruhen së shpejti nga autoritetet e drejtësisë në Shqipëri dhe Kosovë, në fushën e bashkëpunimin juridiksional si dhe të tjera që i vijnë në ndihmë çështjes së sundimit të ligjit në Kosovë.
Vizita e De Marnhac në Tiranë është pjesë e turit të tij në vendet e Ballkanit, konkretisht në Beograd, Podgoricë dhe Shkup.
a.k/NOA