Tiranë, 3 dhjetor, NOA – Dokumenti i dorëzuar dje në Kuvend nga Partia Socialiste sanksionon në mënyrë të qartë hetimin e zgjedhjeve pa hapur kutitë e fletëve të votimit. Në kërkesën e PS-së përsëritet dy herë fakti se vendimi që do të merret për ngritjen e komisionit nuk parashikon hetimin e fletëve të votimit.
“Në projektvendim është parashikuar se hetimi i shkeljeve, objekt i veprimtarisë së këtij komisioni përsa lejon Ligji Nr.8891, Datë 02.05.2002 "Për organizimin dhe funksionimin e komisioneve hetimore të Kuvendit" do të bazohet në materialet, dokumentet apo provat që kërkohen të administrohen për qëllime hetimore duke parashikuar qartazi se në këtë hetim nuk mund të përfshihen fletët e votimit që gjenden në kutitë e fletëve të votimit në kuptim të nenit 119, pika 3 të Kodit Zgjedhor”, thuhet në këreksën e PS-së.
Dokumenti i opozitës rreshton dhe gjithë elementët që do të marrë përsipër hetimi i komisionit parlamentar.
Përmbajtja e objektit të hetimit parlamentar synon hetimin rreth dyshimeve të ngritura nga partitë politike si dhe vëzhguesit vendas e ndërkombëtar. Gjithashtu hetimi do të shoh dhe mungesën e zbatimit të ligjit në procesin e përgatitjes së zgjedhjeve dhe zhvillimin e votimit të konkretizuar në çështje të tilla si: përpilimi, hartimi dhe publikimi i listave të zgjedhësve; procedurat e aplikimit, të prodhimit dhe shpërndarjes së letërnjoftimeve dhe pasaportave biometrike; mënyra e përcaktimit të qendrave të votimit; procesin e parregullt të votimit në qendrat e votimit; mangësitë e konstatuara në përdorimin e teknologjisë mbështetëse të monitorimit në VNV.
Tjetër aspekt i hetimit është dhe përdorimin e aseteve publike dhe administratës shtetërore në favor të një subjekti zgjedhor; presionin për largim, trasferim apo ulje në detyrë të punonjësve në administratën publike dhe çështje të tjera të lidhura me zbatimin e ligjit zgjedhor që kanë lidhje direkt apo indirekt me problemet e përmendura në objektin e hetimit.
Projekt Vendimi i PS
VENDIM
Nr._____, datë ___.12.2010
PËR NGRITJEN E KOMISIONIT HETIMOR TË KUVENDIT PËR TRANSPARENCËN E ZGJEDHJEVE TË PËRGJITHSHME TË MBAJTURA NË 28 QERSHOR 2009
Në mbështetje të nenit 77 të Kushtetutës, të neneve 8 e 9 të ligjit nr.8891, datë 02.05.2002 "Për organizimin dhe funksionimin e komisioneve hetimore të Kuvendit" (të ndryshuar) dhe të nenit 25 të Rregullores së Kuvendit si dhe në respektim e zbatim të Rezolutës të Parlamentit Evropian Nr.0282, datë 8 Korrik 2010 për Integrimin e Shqipërisë, rezolutë e cila kërkon hetimin e plotë të procesit të zgjedhjeve të përgjithshme të mbajtura më 28 qershor 2009 me propozimin e një grupi deputetësh të grupit parlamentar socialist,
KUVENDI
I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË
VENDOSI :
I. Ngrihet Komisioni Hetimor i Kuvendit për shqyrtimin e kërkesës së një grupi deputetësh për të realizuar transparencën e procesit të zgjedhjeve të përgjithshme të mbajtura më 28 qershor 2009;
II. Objekti i veprimtarisë së Komisionit Hetimor të Kuvendit (KHK) është :
- hetimi i dyshimeve publike të bazuara, të ngritura nga partitë politike si dhe vëzhguesit vendas e ndërkombëtarë (raporti i OSBE-ODHIR-it), për zbatimin e legjislacionit në lidhje me procesin zgjedhor; hetimi i dyshimeve të ngritura nga partitë politike si dhe vëzhguesit vendas e ndërkombëtarë për proces të parregullt votimi në qendrat e votimit, kryesisht lidhur me zbatimin e ligjit nga komisionet e qendrave të votimit në mënyrën e votimit, identifikimin e shtetasve në momentin e votimit;
- pasqyrimi i të dhënave përkatëse të dokumentit të identifikimit në rubrikën përkatëse të listave të votimit; mundësinë e votimit më shumë se një herë nga shtetas të ndryshëm e votimit familjar; pasqyrimin e të dhënave përkatëse në procesverbalin e mbylljes së votimit dhe në librin e protokollit të mbledhjeve të k.q.v etj;
- hetimin e dyshimeve lidhur me përpilimin e listave të zgjedhësve sipas qendrave të votimit dhe kryesisht për verifikimin e zbatimit te ligjit lidhur me hartimin dhe publikimin e listës se zgjedhësve, ekzistencën e dublimeve në to ose lënies jashtë tyre të një numri zgjedhësish, dërgimin e listave në qendrat e votimit nga Drejtoria e Përgjithshme të Gjendjes civile dhe përputhshmërinë e tyre me sistemin elektronik të regjistrit kombëtar të Gjendjes civile etj:
- hetimin e dyshimeve në lidhje me shkeljet e kritereve ligjore në procedurat e ndjekura në gjenerimin e të dhënave për efekt të ndarjes së mandateve për çdo zonë zgjedhore dhe zbatimin e legjislacionit lidhur me mënyrën dhe kriteret e zbatuara në caktimin e Qëndrave të Votimit në ambiente private;
- hetimin e dyshimeve në lidhje me shkeljet e kritereve ligjore lidhur me procedurat e aplikimit, të prodhimit dhe shpërndarjes së letërnjoftimeve dhe pasaportave biometrike për periudhën prej fillimit të aplikimit deri më 28 Qershor 2009;
- hetimin e veprimtarisë të administratës së KQZ lidhur me prokurimin, funksionimin, përdorimin dhe efektivitetin e teknologjisë mbështetëse të monitorimit në vendet e numërimit të votave;
- hetimi i dyshimeve dhe pretendimeve të ngritura nga partitë politike si dhe vëzhguesit vendas e ndërkombëtarë për përdorim të mjeteve publike si dhe të administratës publike të çdo niveli, në favor të subjekteve të caktuara zgjedhore, për presione të ushtruara për largim, transferim apo ulje në detyrë të punonjësve në administratën qëndrore, lokale apo të çdo enti publik, për shkaqe që lidhen me fushatën zgjedhore si dhe për rastet e dhënies në kundërshtim me ligjin të lejeve të përkohshme për personat e dënuar apo duke vuajtur masën e sigurisë arrest me burg, nga administrata e burgjeve gjatë periudhës 29 maj - 28 qershor 2009;
IV. Hetimi i shkeljeve, objekt i veprimtarisë së këtij komisioni (përsa lejon Ligji Nr.8891, datë 02.05.2002 "Për organizimin dhe funksionimin e komisioneve hetimore të Kuvendit") do të bazohet në materialet, dokumentat ose provat që kërkohen të administrohen për qëllime hetimore, përjashto fletët e votimit që gjenden në kutitë e fletëve të votimit në kuptim të nenit 119, pika 3 të Kodit Zgjedhor. Procesi i hetimit do të përfshijë administrimin e të gjithë dokumentacionit zgjedhor që përfshihet në kutitë e materialeve zgjedhore të cilat ngarkohet KQZ t’i ruajë dhe t’i vendosë në dispozicion të Komisionit Hetimor të Kuvendit në kohën, vëndin dhe mënyrën e përcaktuar prej KHK.
V. Komisioni hetimor i ngritur sipas këtij vendimi, bashkë me raportin përfundimtar i paraqet Kuvendit në seancë plenare rekomandime lidhur me nxjerrjen e përgjegjësive institucionale, rekomandime për reformën zgjedhore për ndryshime apo miratime ligjesh dhe sipas rastit, njoftimin e prokurorisë për marrjen e masave të mëtejshme ligjore.
VI. Afati maksimal i përmbushjes së detyrave të mësipërme nga ky komision është 4 muaj – afat i cili fillon nga dita e sotme.
VII. Ngarkohet Kryetari i Kuvendit të caktojë mjediset e punës, personelin administrativ në ndihmë të komisionit si dhe mjetet e nevojshme për përmbushjen e detyrave.
VIII. Ky vendim hyn ne fuqi menjëherë.
K R Y E T A R I
Jozefina Topalli
a.k/NOA