Tiranë, 3 Dhjetor, NOA - Gazetat shqiptare kanë si argument kryesor të ditës së sotme debatin e djeshëm, replikat dhe përplasjet në Kuvend, mbi miratimin e buxhetit 2011. Sikundër paraqesin edhe përmbytjet në veri të vendit, duke dhënë detaje mbi evakuimet, ndërhyrjen e policisë dhe ushtrisë etj. Gazetat paraqesin gjithashtu edhe fakte mbi arratisjen e një të dënuari nga mjediset e burgut 313.
E përditshmja “Shekulli” ka si argument kryesor të ditës “Fyerje dhe grushta në Kuvend”, i cili citon përplasjet në seancën e djeshme parlamentare për miratimin e buxhetit 2011.
“Shahen nga gratë me SMS, sherr mes dy deputetëve të Elbasanit”, është një artikull që citon qëndrimin e dy deputetëve elbasanas dje vonë në Kuvend.
“Përmbytjet/ Replikat dje në Kuvend” është një artikull tjetër që do lexoni në këtë gazetë, brenda këtij argumenti.
Ndërkaq, në rubrikën ‘sociale’ në këtë të përditshme do të gjeni artikullin me titullin “Normat e reja/ Sa orë në javë do punojnë mësuesit”.
Gazeta “Panorama” publikon si artikullin e saj kryesor ditën e sotme atë me titullin “Policët e bankës/ Basha-Bode, debat për buxhetin në parlament”, i cili tregon detajet e debateve në seancën e djeshme plenare mbi buxhetin
Një artikull tjetër i kësaj gazete është edhe ai me titullin “Malaj e Harasani, nuk ikin nga seanca për buxhetin, thyejnë urdhrin e PS për bojkot”, në vazhdën e të njëjtit argument.
Artikull tjetër i kësaj gazete është edhe ai me titullin “Izolohet Shkodra, uji hyn 1 kilometër në qytet”.
“Gazeta Shqiptare” ka si titull kryesor të saj “Shqipëria destabilizon/ Simitis: Bashkimi me Kosovën, Ballkani në rrezik”, i cili tregon reagimin e ish-kryeministrit grek mbi idenë e Bashkimit të Kombit.
“Ruçi Berishës: Ju mbështetëm për Gërdecin, morëm kosto elektorale”, është një artikull tjetër i kësaj të përditshmeje, referuar përplasjeve dje në Kuvend.
Ndërsa në një artikull tjetër të veçantë në këtë të përditshme, do të lexoni edhe atë me titull “Aleko Dhima: Kristo Frashëri gënjen për mua, nuk jam grekoman”.
Gazeta “Shqip” hapet me titullin kryesor “Katastrofa, në 7 lagje dhe 60 fshatra”, i cili tregon detaje nga përmbytjet në veri të vendit, ditën e djeshme.
Një artikull tjetër i kësaj gazete është ai me titullin “KLSH, dogana evazion me vendet arabe”.
Ndërsa çështja e protestave të studentëve, mbërrin në numrin e sotëm të kësaj gazete përmes artikullit “Studentët e Mjekësisë, rebelohen ndaj pedagogëve”.
“Selami: Lidershipi ka humbur luftën ndaj korrupsionit” është një artikull tjetër që do lexoni në këtë gazetë, referuar një interviste të Eduard Selamit për “Zërin e Amerikës”.
E përditshmja “Koha Jonë” hapet me titullin kryesor “Berisha: PS, votë kundër tunelit Tiranë-Elbasan”, i cili i referohet debatit të bërë dje në Kuvend mbi buxhetin dhe akuzat e Kryeministrit ndaj opozitës.
Artikull tjetër i kësaj gazete është edhe ai me titullin “Qeveria transferohet në Shkodër, nis zgjerimi i Drinit”.
Një artikull i veçantë i kësaj gazete është edhe ai me titullin “Arvizu: Shqipëria, rrugë të pandalshme drejt integrimit”.
“Konkursi/ Një obelisk për Lord Bajronin” mbyll titujt e kësaj gazete.
Në këtë hapësirë gjendet një pasqyrë e titujve të gazetave në Tiranë, për ditën e Premte, 3 Dhjetor 2010. Ky është një shërbim që ofrohet me parapagim nga agjencia e Lajmeve NOA, në shqip, anglisht, italisht e greqisht.
Mundësia e parapagimit aktualisht ofrohet përmes abonimit dhe së shpejti, edhe përmes pagesës së shërbimit direkt me anë të kartës së kreditit. Për t’u abonuar në këtë shërbim dhe për t’u pajisur me një emër përdoruesi dhe kodin, dërgoni një kërkesë në adresën e E-mail: info@noa.al.
n.e/NOA