Tiranë, 3 dhjetor, NOA – Pas dorëzimit të kërkesës së Partisë Socialiste për hetimin e zgjedhjeve të vitit të kaluar ka ardhur dhe reagimi i mazhorancës. Kreu i grupit parlamentar të PD-së, Astrit Patozi u shpreh se kërkesa e PS-së për hetimin e zgjedhjeve do të shqyrtohet me seriozitet.
“Dua gjithashtu të garantoj PS dhe çdo qytetar të këtij vendi se kjo kërkesë, tashmë ligjore, pasi mban firmat e mbi 28 deputetëve të Parlamentit Shqiptar, do të shqyrtohet dhe trajtohet me seriozitetin më të madh nga ana jonë”, tha Patozi.
Ai ka shtuar se hetimi i zgjedhjeve do të bëhet në zbatim të Kushtetutës dhe vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, si dhe ligjeve të vendit.
“Ndërkohë më duhet të theksoj edhe një herë se kjo mazhorancë qëndron tërësisht e hapur për çdo hetim, që do të kryhet në përputhje me Kushtetutën e vendit, vendimin e Gjykatës Kushtetuese, Kodin Zgjedhor dhe ligjin për Komisionet Hetimore Parlamentare”, tha sot në një konferencë për mediat Patozi.
Duke e cilësuar këtë hap të opozitës si zhvillim pozitiv, Patozi theksoi se kërkesa e shkruar vjen tre javë pas letrës që shkroi kreu i PS-së për Berishën.
“Me duhet të nënvizoj se ky akt vjen gati tre javë pas letrës që kryetari i PS, Edvnin Rama, i dërgoi kryeministrit të vendit dhe kryetarit të PD z. Sali Berisha. Me këtë rast, ne mirëpresim futjen në procedure institucionale të një pretendimi të kahershëm të opozitës”, tha Patozi.
a.k/NOA